Montela e ka vendosur. Andre Silva do të jetë sulmuesi kryesor në ndeshjen e sotme, që Milani do të zhvillojë ndaj Spal-it e vlefshme për javën e pestë të Serisë A. Kështu, trajneri e ka pranuar vetë në konferencë për shtyp, teksa, sipas tij, ndeshja e sotme është pikërisht një nga ato lloj ndeshjesh që është e “ndërtuar” për sulmuesin portugez. “Kjo ndeshje do të përcaktohet nga ndonjë lojë individuale apo goditje jashtë zone”, ka thënë Montela dhe kush më mirë se Andre Silva mund ta nisë si titullar këtë përballje, ku më të rëndësishme se vetë loja, janë tre pikët. Ndërkohë, nga ana tjetër, Montela, por, mbi të gjitha, Bonuçi duhet të kenë kujdes, ashtu si edhe Donaruma në portë, pasi, përballë tyre, edhe pse jo më një “gur i çmuar” si dikur, do të jetë Borrielo. Një sulmues që e njeh mirë lojën kuqezi dhe e di mirë çdo të thotë t’i shënosh skuadrave të mëdha.