Ndonjëherë është e vështirë që të harrosh zakonet e vjetra, ose më saktë, me ato që jemi mësuar vazhdimisht. Ndoshta kjo i ka ndodhur edhe Juxhin Xhajës, arbitrit të Superligës shqiptare, i cili dje gjykoi supersfidën mes Partizanit dhe Kukësit në “Selman Stermasi”, por i hutuar ndoshta nga oshtimat e tifozëve dhe thirrjeve ofenduese, për një moment, teksa ndodhej loja e ndaluar për goditje dënimi, në vend që t’i drejtohej Idriz Bathës, që mbante shiritin e kapitenit, ka kthyer vështrimin nga Hoxha duke i thënë “Alban, folu tifozëve sepse po shajnë!”.
Albani ka mbetur i habitur, ndërsa i ka bërë me shenjë se është Batha ai që duhet të flasë, si kapiten… Një situatë pak e çuditshme, duke qenë se pikërisht portieri kohët e fundit është bërë protagonist e një vendimi disiplinor të rëndësishëm për t’u lënë në stol ndaj Laçit, javën e parë të kampionatit, për vonesë në grumbullim dhe mungesë leje në klub.