“Nuk them se është paaftësi, është e mirëmenduar nga arbitri”. Ilir Daja është një zotëri i vërtetë dhe sezonin e shkuar, teksa nën dritën e diellit iu vodh një ndeshje nga një arbitër që vazhdon të shfaqet në stadiumet shqiptare (Enea Jorgji, s’kemi frikë t’ia themi emrin!) sot kërkon drejtësi në hije.
Dhe, pikërisht deklarata pas barazimit me Kamzën mund të ketë një efekt domino negativ, pasi jo vetëm që mbush me alibi një skuadër që luan në grupet e Europa League dhe duhet të kuptojë se është ndërtuar për të fituar titullin dhe jo për të shkuar në finalen e trofeut prestigjioz.
Kur ta kuptojë këtë, ndoshta atëherë do të mund të fitojë edhe në transferta si ajo e djeshmja. Lojtarët duhet të ulen me këmbë në tokë dhe të kuptojnë se luajnë në Shqipëri. Austria e Vjenës, e masakruar nga Milani në Europë, iu rikthye jetës në kampionat, duke fituar me vështirësi, por duke fituar, sepse e ka kuptuar dimensionin e saj, siç edhe e bëri Rozenborgu në Norvegji, pas disfatës ndaj Sociedadit në Spanjë.
Motivi? Kanë aq eksperiencë sa ta dinë që në Europë janë kalimthi, dhe pse kanë një buxhet më të madh se Skënderbeu.
Pikërisht trajneri Daja duhet të mos e heqë kostumin që e karakterizon dhe të mos prekë xhaketat e zeza, për t’i hyrë një vorbulle që në Shqipëri po kthehet në një refren, kur është materia e parë që mungon, muzika…