5 ndeshje, 1 gol/ Rei Manaj largohet me zhgënjim, nuk shënon dot ndaj vendit të fundit në Spanjë

Rei Manaj është larguar sërish me zhgënjim gjatë ditës së sotme, teksa ka luajtur për 90 minuta ndaj ekipit të vendit të fundit në ligën e tretë spanjolle. Sulmuesi shqiptar ishte prezent në fushë ndërsa Barcelona B barazoi pa gola ndaj Orihuela në transfertë.

Madje për 30 minuta loje do të luanin edhe me një futbollist më shumë katalanasit, pasi Luis Gilabert do të merrte kartonin e dytë të verdhë në minutën e 60. Pavarësisht aksioneve të shumta nga ana e Barcelonës B, nuk arritën dot deri te rrjeta. Manaj kishte një mundësi të mirë në minutën e 51, por gjuajtja e tij me kokë nuk përfundoi në rrjetë, duke shkuar ngjitur me traversën.

Një ndeshje kjo ku sulmuesi shqiptar duhej t’u tregonte të gjithëve aftësitë e tij ndërsa e kishte humbur ekipin e parë, pasi nuk po thirret më as në stërvitje me ta. Të dhënat e përgjithshme të Manajt me Barcelonën B janë 5 ndeshje dhe 1 gol, falë një 11-metërshit të ekzekutuar saktë ndaj Prat, por edhe atje do të merrte karton të kuq në fundin e pjesës së parë. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *