Presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka ka dhënë një intervistë për UEFA-n, duke folur mbi rritjen e jashtëzakonshme të futbollit shqiptar nën udhëheqjen e tij – nga rindërtimi i infrastrukturës sportive të vendit deri te “utopia” e kualifikimit për dy faza finale të EURO-së.
Më poshtë, intervista e plotë e Presidentit Duka për UEFA-n:
Çfarë ju shtyu të kandidonit për President të Federatës Shqiptare të Futbollit në vitin 2002?
Unë vij nga një familje që e ka në ADN-në e saj sportin. Babai im ka qenë futbollist dhe trajner në qytetin tim, Shijak, një vend i vogël por shumë i apasionuar pas futbollit. Vëllai im gjithashtu ka qenë atlet. Si biznesmen privat, kam mbështetur financiarisht disa skuadra sportive, duke nisur nga skuadra ime e qytetit dhe më pas duke u angazhuar te KF Teuta, një klub profesionist në Durrës.
Federata e Futbollit në atë kohe ishte shumë e paorganizuar për shkak të tranzicionit. Për këtë arsye disa drejtues, miq të njohur më propozuan që të kandidoj për postin e Presidentit te FSHF. Në 2 mars të vitit 2002, Asambleja e FSHF më zgjodhi President.
Çfarë këshille do të jepni për dikë që po mendon të nisë një karrierë në administrimin e futbollit sot?
Këshilla ime është ta bëjë këtë zgjedhje me pasion dhe përkushtim të plotë. Futbolli nuk është thjesht një profesion, është një mënyrë jetese që të përfshin plotësisht. Kur bëhesh pjesë e kësaj bote, emocionet që përjeton janë kaq të forta sa nuk dëshiron më të largohesh kurrë prej saj.
Futbolli të jep sfida të përditshme, por edhe kënaqësi të jashtëzakonshme. Ai krijon lidhje të forta me njerëzit dhe të ofron mundësinë për të ndikuar pozitivisht në komunitete të tëra.
Ndaj, për këdo që dëshiron të ndjekë këtë rrugë, mesazhi im është i thjeshtë: bëje me pasion, sepse vetëm ata që e dashurojnë vërtet futbollin mund të japin më të mirën e tyre dhe të bëjnë ndryshimin.
Si ka ndikuar eksperienca juaj në sektorin privat në transformimin e futbollit shqiptar?
Pasi kam mbaruar Universitetin e Tiranës, kam punuar për një periudhë të shkurtër si ekonomist. Kur ra sistemi diktatorial në Shqipëri, isha ndër të parët që u angazhova në sektorin privat. Besoj se përvoja ime akademike dhe e gjerë në biznes ka qenë kyçe në transformimin e futbollit shqiptar.
Duke u kthyer pas në kohën kur u zgjodha president, Federata ka pasur shumë nevojë për një organizim të mirë dhe ristrukturim të vazhdueshëm. FSHF është një institucion që kërkon strategji të qarta, menaxhim të mirë dhe politika solide. Përvoja ime në fushën e biznesit ka luajtur një rol thelbësor në ndërtimin e themeleve për sukseset tona të mëvonshme.
Cilat arritje ju bëjnë më shumë krenar në krye të FSHF-së?
Jam krenar për riorganizimin institucional dhe përmirësimin e funksionimit të FSHF-së, si dhe për transformimin e infrastrukturës sportive në të gjithë vendin tonë. Nuk do të ekzagjeroja nëse do të thosha se Shqipëria tani është një nga vendet me infrastrukturën më të zhvilluar sportive në rajon.
Gjatë dhjetë viteve të fundit, janë ndërtuar katër stadiume të bukura me licencë UEFA që mund të presin ndeshje të nivelit europian. Secili stadium ka historinë e vet, ne krenohemi më shumë me stadiumin “Arena Kombëtare” në kryeqytet, që është pagëzuar nga mediat si “Wembley i Ballkanit”. Megjithatë, “Elbasan Arena”, “Loro Boriçi” dhe “Kukës Arena” janë gjithashtu stadiume të mrekullueshme. Tani kemi në plan të ndërtojmë katër stadiume të reja, duke përdorur fondet e programit Hat Trick të UEFA-s, që do të zhvillojë më tej futbollin Kombëtar.