Është ndeshja e vitit: Santiago Bernabeu po përgatitet të presë pas më pak se dy javësh PSG-në, një ndeshje ku Reali luan sezonin, ndërsa PSG kërkon të nisë pushtimin e Europës, mision që nuk po e realizon dot edhe pse po shpenzon miliona euro pa fund prej vitesh.
Më 14 shkurt në mbrëmje Real Madrid-PSG do të paralizojë botën, por çmenduria ka nisur prej kohësh. Zidan luan të ardhmen e vet, Mbape paralajmëron se “PSG do t’i japë një mesazh botës”, Emeri thotë se “PSG duhet të fitojë Champions League, mundësisht me të në stol”, Nejmar shkel për herë të parë në Bernabeu që kur u largua nga Spanja, por sipas medieve është pikërisht braziliani ëndrra e Florentino Perezit.
Natyrisht, është një ndeshje që askush nuk dëshiron ta humbasë dhe në mënyrë të pabesueshme biletat për publikun e thjeshtë janë shitur për 37 minuta. Për herë të parë në këtë sezon Bernabeu do të jetë i tejmbushur. Çmimi i biletave? Nga 300 euro… deri në 24,000!!!