2 herë në 8 vite! Shqipëria në Europian nuk është më rastësi, Armand Duka e prezantoi si pikë të projektit 2022-2025

Dy herë në tetë vite! Është vërtet bukur kur sheh Shqipërinë në Europian të rikthyer, në fare pak kohë. Nëse më herët nuk e kishim prekur kurrë këtë arenë, tani po fillojmë që ta kthejmë në një “shtëpi të re”. Ne ia dolëm, të gjithë bashkë! Tifozët, lojtarët, stafi teknik, FSHF, media, për të krijuar një frymë fantastike në të cilën Shqipëria fluturoi drejt Gjermanisë, si vendi i parë në grup. Njëherë mund t’i lihet edhe rastësi, por hera e dytë, kurrsesi jo.

Në fakt, kreu i FSHF, Armand Duka, e kishte si pikë të projektit të tij në strategjinë e FSHF: “Futbolli për Kombin 2022-2025”. Në shkurt të vitit 2022, Duka shprehej: “E bëmë në 2016-n, jemi besimplotë se do arrijmë sërish te kualifikimi për në Kampionatin Europian 2024”. Dhe kështu ndodhi! Shqipëria kaloi në fazën e grupeve të Europianit duke mbajtur vendin e parë, për të lënë pas vetes çekët dhe polakët. Askush nuk e kishte imagjinuar një gjë të tillë, madje as në ëndrrën më të çmendur. Fqinjët tanë pyesin shpesh sesi ka mundësi që Zabaleta dhe Silvinjo, dy njerëz me kaq shumë peshë në futboll, të bashkojnë forcat e tyre për të rritur një vend të vogël si Shqipëria.

Për herë të fundit, këtë pyetje e shtruan fqinjët tanë grekë. Përgjigjen e ka dhënë vetë Silvinjo, i cili thuajse në çdo intervistë flet me pasion dhe me falënderim për FSHF, për faktin se i ka mundësuar të gjitha kushtet, si në stërvitje ashtu edhe në udhëtimet për të shkuar dhe takuar nga afër lojtarët. Gjithçka bëhet më e lehtë kur të gjithë punojnë për një qëllim. Duket kaq e thjeshtë kur thuhet kështu, por është më shumë se e vështirë për të ndodhur. E këtë Silvinjo e di fare mirë. Kur shkoi te Lioni si trajner, klubi nuk i lejoi që të merrte stafin që dëshironte dhe ishte shumë i kufizuar në vendime. Për këtë arsye dështoi dhe e nisi karrierën si trajner me një njollë, aq sa edhe në vendin tonë të vogël, e paragjykuan se ishte “shumë i vogël” për “Shqipërinë e madhe”. Pra asnjë trajner nuk mund të shpëtojë dhe jo më të diskutohet për të bërë magji në një rrëmujë të madhe. Shqipëria po funksionon në mënyrë perfekte dhe ne urojmë që gjithçka të vazhdojë kështu. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *