Narkos, kriminelët dhe varfëria, kush është “djaloshi” që ruajti nderin e Argjentinës!

Speciale nga Anton Cicani

Në La Plata, 40 km larg Buenos Airesit, ndoshta goli i tij ndaj Nigerisë, që shpëtoi nderin e Argjentinës dhe popullit të dashuruar pas tangos, festa ka qenë dyfish… Sigurisht, vështirë të dalësh nëpër rrugë të dhe ndezësh fishekzjarrë, pasi mjaftojnë plumbat e automatikëve apo bombat artizanale të narkotrafikantëve dhe kriminelëve për të ndezur këtë qytetet, edhe pse dashuria për topin këtu merr përmasa edhe më të mëdha se në qytetet e tjera. Njerëzit jetojnë për futbollin, por edhe për të mos rënë në duar të bandave… Ajo që ndoshta mund të ishte edhe historia e Markos Rohos, i cili ka kaluar shumë peripeci për të mbërritur në një natë si ajo e sotmja në Rusi…

Në Amerikën Latine, sigurisht, historinë dhe përrallat nuk janë shpikje e një mendje “djallëzore”, por realiteti i hidhur, shpesh i fshehur, por shumë i pamëshirshëm. Nëse nuk je pjesë e trafikut të drogës, gjobëvënies dhe vrasjeve, atëherë mund të jesh ti shënjestra. Kështu, i ati, Markos Roho Senior, vendosi që në moshën 4 vjeç, ta hiqte djaloshin nga ai qytet dhe t’i jepte një mundësi jete, një shans.

E shihte te sytë e të birit se e ardhmja duhet të ishte ndryshe nga skamja, varfëria dhe sidomos kushtet e vështira. Nuk kishte makinë për ta çuar në stërvitje, 20 km larg, por kishte biçikletë… Kështu, e merrte të voglit Markos sa herë që mbaronte punë si shitës ambulant rruge dhe të dy ndiqnin ëndrrën e madhe, që një ditë ai fëmijë t’i siguronte një jetesë ose pension të rehatshëm prindërve të tij.

Ishte e vështirë, shumë e vështirë. Për vite me radhë, i njëjti “ritual”, deri sa Markos u rrit dhe nisi të dallohej. Në moshën e adoleshencës, ai luante me fanellën e skuadrës së qytetit, Estudiantes, teksa nisën edhe luftimet dhe u detyrua të largohej nga shkolla. Vjedhje, përgjakje mes bandave dhe terror në qytet, teksa Markos mban fort pas vetes një top futbolli. Do të jetë ai spiranca e shpëtimit…

Sigurisht, ajo që mëson nga rruga është se nuk duhet të shfaqesh i dobët, ndryshe e pëson, sepse në ato anë, ligji funksionon kështu. Jemi në “xhunglën” e varfërisë…

Në vitet e fundit të adoleshencës fiton Kupën Libertadores dhe pas saj, bën gati valixhet. Eshtë gati për Europën. Dhe, fati do që pikërisht qyteti i parë ku do të shkelë është Moska, në Rusi. Shumë ftohë në rusi, kështu që vendos të transferohet në Portugali, te Sporting Lisbona. Botërori 2014 është vetrina më e rëndësishme për të, ndërsa Mançester Junajtidi po e ndjek. Mesi & Co nuk ia dalin vetëm për pak, por Roho siguron kontratën miliardere dhe aty nisin problemet për familjen e tij…

Thuajse çdo mbrëmje, i ati, e ëma, vëllai dhe motra, kthehen në shtëpi pa u ngrysur, sepse “tashmë kriminelët e dinë që Markos fiton shumë para në Angli dhe duan të na vjedhin e plaçkitin, ato që djali ynë na sjell”, do të shprehet e ëma.

Një “ngujim” i vërtetë. “Nuk mund t’i drejtohemi policisë, sepse do të ishte akoma më keq…”. Ndërkohë, prej kohësh, familja e tij jeton me frikë, sidomos pasi e rrahën bruatilisht të atin e lojtarit.
“E kemi rrethuar shtëpinë me kangjella dhe kemi betonizuar një pjesë të dritareve. Kemi frikë por nuk e lëmë shtëpinë tonë, këtu jemi rritur dhe vënë rrënjë”.

Por, kërcënimet kthehen në dhunë, deri kur një pjesëtar i një bande i vendos pistoletën në kokë të ëmës së futbollistit, duke i marrë bizhuteri dhe para. Aty, familja vendos të lërë atë vend përgjithmonë.
“Vetëm ata që kanë qenë të uritur si unë dhe kanë qëndruar pranë meje edhe kur kam kaluar momente të vështira në jetën time do të hanë në tavolinën time”… Me këtë mesazh, Roho, duke postuar foton e Pablo Eskobarit (thënie e tij kjo) do të provokonte, duke sqaruar më pas: “Është mesazhi i jetës time! Miq ke shumë, por thjesht në letër, sepse në jetë nuk është ashtu”.

Nëse nuk do të ishte bërë futbollist? Argjentina sonte nuk do të kualifikohej për në fazën e 1/8-ve, sigurisht, ndërsa ai mund të ishte këngëtar, sepse hobi i tij mbetet vallëzimi dhe të këndojë. Por, goli i tij vlen më shumë se një këngë, vlen sa një “tango” e madhe, që bashkoi Argjentinën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *