Nga Klaudio Ndreca
Armando Sadiku arriti të gjente veten sezonin që lamë pas pas kalimit në Spanjë, teksa me Levanten rezultoi fillimisht si një zgjedhje e gabuar e ekipit të La Liga-s, nisur edhe nga dëmtimet që e bën sulmuesin shqiptar të pafat. Rreth 1 milionë euro pagoi skuadra spanjolle te Legia e Varshavës përpara dy sezonesh e gjysmë.
Sadiku po niste të humbte vlerën dhe kalimi i tij tek Malaga rezultoi si gjetja e duhur. Futbollisti shqitpar arriti të shënojë 13 gola dhe ishte një nga sulmuesit më të rrezikshëm në Segunda Division. Por të gjitha këto realizime i kanë shërbyer më tepër Levantes që zotëron kartonin e lojtarit sesa vetë Armandos.
Kjo pasi vlera e tij do të rritet dhe kështu ekipi spanjoll nuk do të humb nga investimi i bërë pak vite më parë. “Marca” shkruan se Arisi i Selanik dhe Pogon Sczecin janë ekipet e interesuara për të transferuar Sadikun. Por te skuadra polake gjasat janë të pakëta që sulmuesi të dëshirojë transferimin dhe kjo nuk lidhet vetëm me emrin e klubit. Mediat polake vazhdojnë të sulmojnë Sadikun për një deklaratë gjatë kohës kur lihej në stol te Legia e Varshavës duke u bërë krahasimi: “Është njësoj si të lësh Ferrarin në garazh”. /Sport Ekspres/