Ky kampionat i ri i Superiores është shumë herë më i fortë sesa i vitit të shkuar. Po në atë vit kemi folur se bëhej fjalë për sezonin më të rivalizuar, por gara këtë herë është edhe më e ashpër. Skënderbeu dhe Kastrioti janë të vetmet ekipe që kërkojnë mbijetesën, ndërsa të gjitha të tjerët duan më së paku Europën, në të kundërtën sezoni i tyre do të quhet i dështuar. Por nëse korçarët janë ringritur me gjendjen e pikëve duke ndalur Tiranën kryesuese dhe kampionët e Teutës, kjo nuk ndodh me Kastriotin.
Këta të fundit kanë 11 pikë më pak sesa java e 12 e sezonit të shkuar. Asokohe do të kishin 16 pikë të grumbulluara dhe tani kanë vetëm 5 të tilla. Madje edhe Apolonia e sezonit të shkuar që e mbylli garën para kohe për të shkuar në Kategorinë e Parë kishte grumbulluar 8 pikë. Ky sinjal është i pastër se krutanët do ta kenë thuajse të pamundur që të shpëtojnë nga ky sezon, mes një rivaliteti si kurrë më parë. /Sport Ekspres/