REKORDMENI ABSOLUT REXHINALDO Falënderime dhe një… “peng”

Sulmuesi është lojtari që ka shënuar më shumë gola në një sezon me kurbinasit në Superiore. Ka parakaluar Altin Çukon, i vetmi golashënues i Laçit në elitë

Artur Faite Rexhinaldo e mbylli sezonin me 18 gola. Është padyshim sezoni më i mirë në karrierën e tij dhe për këtë ndihet krenar. Sulmuesi i Laçit, dëshironte shumë që të fitonte “Këpucën e Artë” dhe iu afrua. Nëse do të kishte qenë më i saktë para portës, edhe mund të realizonte më shumë se Ali Soue, i cili e mbylli kampionatin me 21 gola. Në qershor Rexhinaldo mbush 28 vjeç dhe ka edhe vite të tjera karrierë përpara. Qëndron apo ikën nga Laçi, ai ka vendosur rekorde dhe do të duhet që dikush t’i thyejë në të ardhmen. Sulmuesi parakaloi gradualisht të gjithë sulmuesit e mëparshëm dhe në periudhën që klubi financohet nga Pashk Laska rekordmeni ishte Arlind Nora me katër gola të shënuar. Në takimin me Skënderbeun Rexhinaldo realizoi dy gola dhe e barazoi gjirokastritin, ndërkohë që pas ndeshjes me Lushnjën barazoi edhe një tjetër rekord. Para shumë vitesh, në sezonin 1995-1996, ishte sulmuesi Altin Çuko, i cili me fanellën e Laçit realizonte plot 16 gola. Lushnjari është i pari dhe i vetmi futbollist që me fanellën e kurbinasve ka dalë shënuesi më i mirë në elitën e futbollit shqiptar. Atë sezon ai e mbyll me 21 gola, pasi në pjesën e parë të kampionatit kish realizuar 5 herë me fanellën e Tomorit, ndërsa te bardhezinjtë shënonte pjesën tjetër. Rexhinaldo nuk e fitoi dot “Këpucën e Artë”, por tanimë ka rekordin e golave që një sulmues ka shënuar në Superiore me Laçin, edhe pse Çuko ka shënuar dy më pak në gjysmë sezoni.

BILANCI I REXHINALDOS

Futbollisti nga Mozambiku ndërkohë nuk i ka kursyer falënderimet për atë që ka arritur këtë sezon me Laçin. E nis me presidentin Pashk, Laska dhe vijon me shokët, trajnerët dhe me radhë. Sigurisht familja dhe nëna e tij zënë një vend të rëndësishëm.

Dëshirën për ta fituar “Këpucën e Artë” nuk e fsheh, teksa në llogarinë e tij në “Facebook” shkruan: “Kemi përfunduar kampionatin. Dola golashënuesi më i mirë i ekipit dhe i treti në shënuesit më të mirë të kampionatit me 18 gola, vetëm tre gola më pak se golashënuesi më i mirë (21 gola). Pavarësisht se kam luajtur disa ndeshje më pak për shkak dëmtimi, unë doja të isha shënuesi më i mirë, por tani e mbarova detyrën. Nga tani e tutje,ju dërgoj urimet e mia. Jam shumë krenar për atë çka arritëm. Nuk mund ta shpjegoj se çfarë ndjej në këto momente, sepse ishte një udhëtim shumë i mundimshëm për të arritur këtë objektiv. Shumë falënderime për presidentin e ekipin, i cili më dha këtë mundësi, për shokët e ekipit, sepse pa ndihmën e tyre nuk mund të shënoja kaq shumë gola, për stafin teknik që më besoi, për z. David Reis, ish-presidentin e Maio de Quelimane për këshillat, për adhuruesit e mi për mbështetjen e pakushtëzuar dhe sigurisht familjes time për mbështetjen, veçanërisht nënën time. Në total shënova 21 gola, tre në Kupën e Shqipërisë, të cilët i shkuam deri në finale, që do të luhet të dielën. Deri atëherë, përqafime të mëdha”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *