Qerasi gjithë ekipin pasi e shkarkuan, Shkëlzen Gashi tregon çudinë: Kjo është Amerika, harroji miqtë

Shkëlzen Gashi është rikthyer sërish në Europë pas aventurës së mbyllur me Koloradon në Amerikë. Një eksperiencë që më shumë sesa në karrierën e futbollit, i dha përfitime ekonomike sulmuesit shqiptar.

Kjo ishte arsyeja se përse nuk po vinte edhe zyrtarizimi te Aarau në merkaton e verës. Marrëveshja ishte mbyllur, por nëse do të konfirmohej edhe për mediat, atëherë Gashi do të hiqte dorë nga paratë e fituara ende në Amerikë, që zgjatën deri në dhjetor të vitit 2019.

Me mbylljen e këtij burimi të të ardhurave, Shkëlzen Gashi zyrtarizoi menjëherë skuadrën e re të Aaraut. Në një intervistë për mediat zvicerane, tregon jetën e tij në Amerikë dhe një nga rastet më të çuditshme, ku ka qerasur gjithë skuadrën pasi e hoqën përpara kohe.

“Kur jam larguar nga Kolorado, u kam dhuruar pica ekipit dhe punonjësve në zyrë. Është e vërtetë, shumë më kanë thënë që asnjë lojtar tjetër nuk do e kishte bërë diçka të tillë pasi ta largonin dhe u duk e çuditshme. Por ishte e vështirë për mua të tregoja që po largohesha nga klubi në mënyrën më të mirë dhe t’i falenderoja për tre vitet e shkëlqyera. Ajo eksperiencë e imja në Amerikë më formon deri në fund të jetës sime. Sinqerisht nuk mendoj se shkova shumë herët atje, pavarësisht se të tjerët shkojnë për të marrë duartrokitjet e fundit të karrierës.

Amerikanët mendojnë se janë të mëdhenj, asgjë për të ta nuk është e pamundur. Saktësisht ashtu siç dua edhe unë të jetoj. Maksimumi duhet të jetë gjithmonë qëllimi. Në javën e parë të timen atje, ftova gjithë skuadrën e Kolorados për darkë. Ishtë një mbrëmje shumë argëtuese. Të nesërmen, askush nuk më fliste. Mendova se kisha bërë diçka të gabuar. “Kjo është Amerika”, më tha një shok i ekipit nga Gjermania që kishte qenë aty për një kohë të gjatë. Lojtarët atje nuk merreshin shumë me shokët e skuadrës si në Europë, pasi nuk e dinin a do t’i rezistonte edhe një javë tjetër ai futbollisti i ri që shkonte në Amerikë. Pra amerikanët ishin shumë sipërfaqësorë dhe të bësh miq atje, është e pamundur”, ka thënë Gashi. /Sport Ekspres/