Partizani mendon për të ardhmen, firmos me mesfushorin Esat Mala

Të kuqtë kanë mbyllur marrëveshjen me futbollistin nga Kosova. Ai është stërvitur me “demat” dhe ka luajtur me skuadrën e Ballkanit në Kosovë

Partizani synon të bëjë lëvizjet e duhura në merkaton e janarit duke punuar nën hije dhe duke bërë afrimet të studiuara. Disa janë zyrtarizuar deri tani, Bruno Telushi është prezantuar nga klubi, por edhe braziliani Lukas, pavarësisht se emri i tij nuk është bërë zyrtar në faqen e klubit. Drejtori i Përgjithshëm Olsi Rama e pranoi publikisht se sulmuesi brazilian do të afrohej me të kuqtë, madje e cilësoi edhe si një lëvizje të goditur. Emri i ri që do të luajë nga janari me Partizanin është Esat Mala. Mesfushori me tipare të avancuara është pjesë e ekipit të Ballkanit në Kosovë dhe ka luajtur pjesën e parë të sezonit në kampionatin e vendit fqinj. Ai është një njohje e vjetër e Partizanit.

MALA – Lojtari ka ndjekur shkollën e mjeshtërisë sportive “Loro Boriçi”, në Kamzë. Mala ishte një ndër lojtarët më të dalluar të ekipeve të moshave të Shkëndijës së Tiranës. Mesfushori ra në sytë e të kuqve në ndeshjet e të rinjve dhe u afrua me Partizanin B. Ai po stërvitej me ekipin e dytë të Partizanit, por nuk arriti të federohej për shkak të vonesës me dokumentacionin. Për të mos humbur pjesën e parë të sezonit, ai lidhi marrëveshje në Kosovë me ekipin e Ballkanit. Futbollisti stërvitej me ekipin e dytë të Partizanit dhe ndërkohë luante edhe në kampionatin kosovar. Mala ra në sy të mirë, pasi po bënte paraqitje të mira. Mesfushori arriti të shënonte edhe gola vendimtar për skuadrën e tij. Kjo bëri që të afrohej nga skuadra e parë e Partizanit.

PARTIZANI – Ekipi i kuq e afroi në stërvitje nën drejtimin e trajnerit Sulejman Starova. Mala u vëzhgua nga numri një i stolit. I riu e kaloi testin e tekniku 62-vjeçar, i cili miratoi firmën me futbollistin. Të kuqtë i kanë ofruar kontratë mesfushorit Mala dhe me shumë mundësi lojtari do ta nënshkruajë. Historia nuk është kaq e thjeshtë, pasi kontrata me Ballkanin e pengon mesfushorin Male.

KONTRATA – Ende nuk dihet se për sa vite i është ofruar kontrata Malas, por duke parë moshën e tij të re, ai shihet si një investim për të ardhmen. Futbollisti i datëlindjes 1998 është gati për të firmosur, por më parë duhet të zgjidhë marrëveshjen me klubin kosovar të Ballkanit. Diçka e tillë duket se nuk do të krijojë shumë probleme, pasi lojtari ka marrëdhënie të mira me klubin e Ballkanit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *