“Një dëmtim i vogël u bë diçka e madhe”, Pato tregon ndarjen me Milanin: Më fajësuan për gjëra që s’i kisha bërë

Alexandre Pato ka mbajtur veshur për disa sezone fanellën e Milanit, ndërsa shihej si një lojtar me një të ardhme të ndritur përpara. Por karriera e brazilianit nisi të marrë për keq, teksa pas largimit nga kuqezinjtë u rikthye edhe një herë në vendlindjen e tij. Eksperienca të tjera do të ishin edhe me Chelsean dhe Villarealin, por nuk shkoi siç duhej, ndërsa më ndryshe do të ishte aventura në Kinë.

Ndërkohë tani, në moshën 30-vjeçare, Pato luan me Sao Paulon dhe shprehet se po ia del mirë. Në një intervistë me “Gazzetta dello Sport”, sulmuesi brazilian tregon edhe arsyet që çuan në largimin e tij nga kuqezinjtë, megjithëse dashuria për këta të fundit vijon të mbetet dhe këtë e tregon qartë dëshira e Pato për t’u rikthyer sërish në Milano.

“Një dëmtim i vogël në mënyrë graduale u bë një gjë e madhe. Humba vetëbesimin. U ndjeva paksa i vetmuar, sepse ata më fajësuan për gjëra të cilat nuk i kisha bërë. Do më pëlqente të rikthehesha në Europë. Po bëj mirë këtë vit, fitoj Kupën Libertadores dhe më pas do kthehem sërish. Te Milani do të ishte vërtet bukur”, ka thënë Pato./Sport Ekspres/