Marantas nuk i del në mbrojtje: Fili nuk mund të luante dot askund, jo vetëm te Luftëtari

Luftëtari nuk është në një gjendje të mirë në këtë Superiore, ndërsa po vuan për pikë dhe po lufton për mbijetesën. Ashtu siç edhe pritej faktikisht, pasi e nisën sezonin mes aq shumë problematikash dhe ndryshimesh.

Ndërkohë sikur të mos mjaftonin problemet e grumbullimit të pikëve, Marantas i duhet të bëj edhe pa një prej lojtarëve më të mirë, Realdo Filin. Nëse bluzinjtë kanë arritur të lënë pak gjurmë në këtë kampionat, kjo ka ardhur edhe falë këtij futbollisti. Por për shkak të një grindje me tifozët, klubi vendosi një masë ndëshkuese për ta larguar nga ekipi. Në mbrojtje nuk i del as trajneri Marantas, në konferencën para ndeshjes me Teutën:

“E kam thënë më herët për Filin. Futbollisti që konfliktohet me tifozët, nuk luan dot askund, jo vetëm tek ne. Në përballjen me Tiranën kemi qenë për t’u harruar si skuadër, ndërsa tani duhet të luajmë për pikë ndaj Teutës. Tifozët duhet të na mbështesin pasi luajmë me mungesa. Kundërshtarin e njohim dhe e kemi parë në ndeshjen e fundit që ka zhvilluar, ndërsa do të përpiqemi maksimalisht për marrjen e pikëve”, ka thënë Marantas. /Sport Ekspres/