Kamberi u tregon skocezëve Shqipërinë: Sa më pëlqen presioni! Prindërit krenohen me mua

Të gjithë sytë janë drejtuar te Florian Kamberi! Futbollisti i ardhur nga Hiberniani është një makineri golash dhe një makineri e duhur që të dërgon te goli. Kjo pasi përtej nuhatjes së madhe të portës, ka aftësi të mira të driblimit dhe që të shërbejë për të realizuar.

Tashmë kjo është risia jonë më e madhe për dy ndeshjet e radhës. Emocione të mëdha ka edhe vetë Kamberi, që u ka treguar edhe mediave në Skoci për këtë kohë që po kalon te Shqipëria. Theksi vendoset te një person dhe lojtar i fortë që i pëlqen presioni, por edhe të privilegji për të përfaqësuar një komb.

“Do të jetë gjë e madhe që të luajë dy ndeshje me Shqipërinë dhe shpresoj se do t’i bëj përshtypje stafit të Kombëtares. Çdo ndeshje me Kombëtaren është një privilegj, nuk ka rëndësi se ndaj kujt. Por të luajë ndeshjen time të parë apo të dytë ndaj kampionëve të botës, Francës, e bën më shumë emocionuese. Ti e krahason veten me më të mirët në botë dhe e sheh se ku je. Në fakt do të jetë edhe në stadiumin e ri kjo ndeshje dhe ka atmosferë të jashtëzakonshme. Kanë shumë pritshmëri të larta për mua, por e mbaj mirë presionin. Në fakt unë nuk jam djali i dobët dhe më pëlqen presioni. Më motivon mua që t’u tregoj njerëzve që kanë krijuar një imazh të gabuar për mua, krejtësisht të kundërtën. Nuk mund të pres që të bëhem edhe një lojtar kombëtar.

Unë kurrë nuk prisja një komb të veçantë. Unë kam qenë gjithmonë në kontakt me Zvicrën, Kosovën dhe Shqipërinë. Kam dashur që së pari të përqëndrohem te luaja rregullisht për klubin tim. Në klubin tim të mëparshëm, unë nuk luaja për gjashtë muaj në Grasshoppers, kështu që për mua ishte e rëndësishme të luaja një vit të plotë në formacionin startues, duke shënuar gola dhe duke u futur në një rutinë. Dhe tani ishte koha për mua. Shqipëria ka treguar një interes të fortë për mua. Ata më thirrën dhe agjentin tim shumë herë dhe më treguan se më duan. Kjo tregon se ata kanë besim tek unë. Nuk dua të pres një komb, dua të shkoj atje ku duhet dhe Shqipëria është kombi i duhur për mua. Është një privilegj për mua të shkoj dhe të luaj për Shqipërinë. Unë njoha disa prej lojtarëve tanimë gjë që e bën gjithmonë më të lehtë.

Prindërit e mi janë nga Kosova, por nuk ka asnjë ndryshim për mua midis Kosovës dhe Shqipërisë. Të gjithë flasim të njëjtën gjuhë. Është thjesht një privilegj të përfaqësosh këtë vend. Familja ime është shumë krenare. Që nga dita e parë, ata kanë qenë në anën time gjatë kohërave të mira dhe të këqija. E veçantë që prindërit e mi ta shohin djalin e tyre që përfaqëson një komb. Shqipëria është një komb i mrekullueshëm, kështu që nuk mund të pres t’i përfaqësoj ata në fushë”, ka thënë Kamberi. /Sport Ekspres/