Ironia! Hapëm fondacion për të bërë lekët e Shaqirit, kujtohet për Shqipërinë…vetëm ndaj Serbisë

Xherdan Shaqiri u rikthye si titullar në ndeshjen e fundit që Liverpuli fitoi në derbi kundër Evertonit, e mbyllur në rezultatin 5-2 për “Premier League”. Jo vetëm kaq, por sulmuesi realizoi edhe një gol. E këtu nis dhe përfundon i gjithë problemi.

Kjo ndeshje e ardhur menjëherë pasi në Shqipëri ishin shënuar mbi 50 të vdekur, qindra të plagosur dhe shtëpi të shkatërruara, nuk ka sjellë ndonjë festë të veçantë për Shaqirin. Këtë herë “shqiponja” nuk ishte më në duart e tij.

Ndonjëherë edhe më të drejtë ka kritikë edhe nga vetë tifozët shqiptarë, se kjo mënyrë e të festuarit kthehet e tepruar dhe “pa shije”, por këtë herë ishte “DETYRIM”. Kjo fjalë duhet të theksohet, ndjeshëm madje.

Shqipëria nuk e ka një tjetër lojtar nga kjo origjinë, që luan në një ekip më të madh sesa Shaqiri. Këtë herë shqiponja në duart e tij do të ishte shumë më tepër sesa një festë. Në këtë mënyrë edhe në Angli do të bëheshin më tepër kurioz se për çfarë arsye do të zgjidhej ai festim, ndërsa me një thirrje të hapur, mund të kishte edhe një kontribut sadopak ndihmues që disa familje shqiptare të kishin se ku të fusnin kokën në Durrës, Thumanë, Laç apo gjetkë.

Pikërisht atë që bëri edhe Milot Rashica. Një festim me shqiponjë kishte shumë kohë që nuk shihej nga Miloti në “Bundesligë”, për të mos thënë që ishte për të parën herë. Por dedikimi do të vinte pas asaj ngjarje të ndodhur, pasi e kishte ndjerë tragjedinë në atdhe.

Por jo, Shaqiri e kishte një gol më tepër atë të shënuar ndaj Evertonit te Liverpuli. E si për ironi, zemrat e shqiptarëve çohen peshë kur “shqiponja” fluturon pas një goli që po i njëjti futbollist realizon ndaj Serbisë, Crevena Zvezdës apo ndonjë përfaqësuesi tjetër të po të njëjtit shtet.

E akoma më paradoksale, është se një fondacion është hapur po nga shqiptarët, kur UEFA dënoi Shaqirin dhe Xhakën për shqiponjën e bërë ndaj Serbisë, vetëm që mos të paguanin kurrëfarë gjobe nga xhepi i tyre, me një simbolikë të lartë. Por kur vendi i tij përjeton një nga tragjeditë më të mëdha ndër vite me radhë, sportisti mjaftohet me një postim në rrjetet sociale: “Lutemi për Shqipërinë”.

Thuajse me të njëjtën vlerë si “Lutemi për Francën”, “Lutemi për Sirinë”, apo çdo lutje tjetër kudo ndodh një tragjedi apo fatkeqësi, megjithëse flaka këtë herë kishte rënë…në shtëpi.

Pyetja që lind menjëherë: “Në rregull, me Kombëtaren e Shqipërisë nuk mundi të luante dhe Zvicra i siguronte një karrierë më të mirë. Po këtë herë, shqiponjën, kush e ndalonte?”. Por mesa duket, duhet të presim ndonjë përballje ndaj vendeve fqinje që nuk kemi një marrëdhënie shumë të mirë, për të treguar edhe njëherë origjinën se prej nga vijmë.  /Sport Ekspres/