I dedikoi gjithë karrierën e tij Atalantës, legjenda e klubit italian humb betejën me Koronavirusin

Legjenda e Atalantës ka humbur betejën me virusin vdekjeprurës, Covid-19. Zaccaria Cometti ka ndërruar jetë në moshën 83-vjeçare. Lombardia është një nga zonat më të prekura nga pandemia Koronavirus në Itali dhe as ish-portieri i Atalantës nuk mundi t’i shpëtonte këtij virusi. Karriera e Comettit ka qenë e lidhur thuajse tërësisht me skuadrën nga Bergamo, fanellën e të cilëve e ka mbajtur veshur për 13 vite si futbollist, ndërsa dy vitet e fundit të karrierës i kaloi në ekipin e Trenton.

Por marrëdhënia e tij me Atalantën nuk do të përfundonte këtu, pasi do të rikthehej edhe njëherë në klubin të cilit i qendroi besnik për një kohë mjaft të gjatë. Megjithatë këtë herë rikthimi nuk do e gjente në fushë por në stolin e trajnerit. Fillimisht drejtoi moshat, për të kaluar më pas në postin e zëvendës trajnerit të ekipit të parë dhe për ta mbyllur në fund me postin e teknikut të portierëve, që ka qenë edhe pozicioni i tij në kohën kur lunate futboll./Sport Ekspres/