Gjoka: Nuk dorëzohem. Sulmi ndaj meje, për të aktivizuar lojtarë me zor

Ernest Gjoka ka përfunduar në qendër të vëmendjes ditën e djeshme, por për arsye që nuk kanë lidhje me futbollin, sepse një person e sulmoi dhe i rrezikoi jetën. Ende nuk dihet identiteti i autorit dhe për çfarë ka ndodhur ky agresion, por në një farë mënyre vetë Gjoka e ka një ide të qartë se çfarë po ndodh në Shkodër. Ashtu si paraardhësi i tij, Armando Cungu, edhe Gjoka po vuan presionin e personave “të fortë” në Shkodër, që kërkojnë përfshirjen në ekip dhe aktivizimin e ndonjë lojtari që me formacionin nuk ka lidhje, të paktën sipas trajnerit, që në fund të fundit vendos për gjithçka dhe mban përgjegjësi në fund për rezultatet.

Në një intervistë për “Star Plus”, Ernest Gjoka ka folur për këtë histori, duke u treguar më i hapur se kurrë: “Ky është problemi që ka pasur Shkodra. U japin vendin fëmijëve në mënyrë të pamerituar. Nëse nuk e meriton fëmija të vij në ekip, ai nuk vjen. Nuk ka trajner në botë, që nuk e kërkon një talent. Nuk ka nevojë për ndërhyrje. Policia duhet të gjejë me patjetër fajtorin, jo sepse është Ernest Gjoka, por për të treguar se Shkodra nuk është një qytet ku bëhet gjithçka. Ai njeri që më sulmoi është dora, dua të di se kush është koka që e drejton. Kur të merret vesh se cili është ai njeri që ushtron presion me metoda të tilla, atëherë do të shpëtojë Vllaznia. Unë e di se kush është Shkodra e vërtetë dhe pjesa e shëndoshë e këtij qyteti më respekton”.

Skuadra – “Skuadra ka përjetuar ankthin, mërzitjen dhe e kemi kaluar këtë situatë së bashku me mua. Kishim kohë që e përjetonim presionin e gazetarëve dhe ambientit përreth, të personave që nuk duan që Vllaznia të eci përpara. Megjithatë, ajo ngjarje na bëri së bashku akoma më shumë. Në stërvitjen e sotme u mundova që të kishim lojëra më argëtuese për të kaluar situatën, por nuk është e lehtë që ata të shohin sesi kërcënohet me thikë trajneri i tyre.

Familja – “Familja ka reaguar duke më këshilluar që të marrë çantën dhe të kthehem, pasi normalisht është një çështje e rëndë dhe shumë e ndjeshme. Por miqtë e mi më kanë dhënë një ndihmë për të bindur familjen time, sepse unë nuk dorëzohem dhe do ta bind familjen time që të qetësohet, për të vazhduar sërish me Vllazninë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *