Gati firma/ U ka dhuruar shumë në fushën e lojës, Eintrachti i Frakfurtit i shtron rrugën drejt trajnimit Skelës

Ervin Skela është një nga lojtarët që ka dhënë shumë për fanellën kuqezi, ku ka qenë edhe ndër më të shquarit në fushën e lojës. Karrierën si futbollist e ka zhvilluar në Gjermani, teksa ka luajtur për tre vite edhe me Eintracht Frankfurt. Në “Bundesliga” dhe “Bundesliga 2” ka rrëmbyer shumë duartrokitje në periudhën kur ishte futbollist dhe me sa duket një qëllim të tillë e ka ta bëjë sërish, por këtë herë në rolin e trajnerit.

Ish-mesfushori vlonjat po hedh edhe hapat e parë në karrierën e tij të re, teka pas 17-vjeçarëve të Hessen, tashmë do të drejtojë te moshat e ish-skuadrës së tij. Më konkretisht bëhet fjalë për Eintracht Frankfurt U-17. Klubi gjerman po bën mjaft mirë në “Bundesligë” vitet e fundit dhe me sa duket e ka vlerësuar kontributin e dhënë prej Skelës në fushën e lojës në kohën kur mbante veshur fanellën e tyre, duke i besuar kështu një prej ekipeve të moshave.

Ervin Skela ka kryer kursin për trajner në Shqipëri dhe nëse bën mirë me të rinjtë, ndoshta një ditë mund ta shohë veten të ulur në stolin e ekipit A. Sipas asaj që raporton “Wiesbadener Kurier”, firma në kontratë do të hidhet këtë javë, ndërsa vetë ish-mesfushori është shprehur: “Më duhet dhe dëshiroj të mësoj shumë”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/