Ekskluzive/ Sinan Idrizi i thotë të gjitha: U ula me lojtarët, kë doni si trajner se ua sjell unë?

Flamurtari është në një moment të keq në futbollin shqiptar, ndërsa në 9 ndeshje ka grumbulluar vetëm 2 pikë. Por problemi te vlonjatët është shumë kompleks dhe ndërrimi i trajnerit pas shkarkimit të Sadedinit, pritet të sjellë sadopak ndryshim, por jo “shkopin magjik”.

“Sport Ekspres” ka intervistuar administratorin e Flamurtarit, Sinan Idrizin, që i thotë të gjitha sa i përket problemeve që kalon Flamurtari, mënyra sesi mund të zgjidhen, por edhe duke dhënë një pasqyrim të lojtarëve. Kryefjala e gjithë intervistës është një dhe e vetme: “Tani ta ndajmë këtë punë. Do e marrë bashkia, apo ta mbajmë ne?”. Një alarm dhe me të drejtë nga Idrizi, që me llogaritë e tij të investimeve dhe fitimeve, sheh një kolpas të madh.

Atëherë ndalemi te shkarkimi i Sadedinit. Ishte e pashmangshme me renditjen, pyetja është se çfarë mund të bënte më mirë trajneri?

Shikoni, nuk është trajneri problemi i Flamurtarit. Trajneri ka qenë korrekt dhe serioz, pavarësisht se nuk mjaftuan. Historia e Flamurtarit ka thuajse 1 vit në kolaps financiar dhe psikologjik. U fut edhe në kolaps taktik që duhej të zgjidhej. Alfabeti fillon nga A-ja. O zotëri, unë e kam përsëritur shumë herë. Problemi i Flamurtarit është tjetër gjë: “Ose ta mbajë këshilli bashkiak, ose e mbajmë ne”. Po kjo është një histori shqiptare që duhet mbyllur dhe ndarë. Realisht këto janë kambanat e fundit që po bien dhe jemi lodhur me këtë stërzgjatjen e madhe. Jemi i vetmi klub që nuk marrim asnjë para nga fondi publik. “Ja po bëhet ligji, ja do të rregullohet”. Tashmë vetëm fjalët nuk shkojnë më. Ne kemi 100% të investimeve dhe 0% të fitimeve. Nuk e kuptoj fare, histori shqiptare dhe kaq e shëmtuar. Nuk është për “shkop magjik” këtu, por duhet të zgjidhet kjo situatë që ka nga nëntori i vitit të kaluar. Shpresojmë të gjendet një zgjedhje.

100% të investimeve dhe 0% të fitimeve. Në bazë të llogarisë, flitet për humbje kolosale apo jo?

Ja të bëj një llogari fare të thjeshtë. Ne nxjerrim 12 milionë euro nga xhepi jonë, ndërsa në ditën më të mirë të Flamurtarit, në ditën më të mirë e përsëris, nuk kalohen kurrë 3 mijë euro. Këto janë burimet e fitimit dhe është një idiotësi. Nëse duan le ta mbajnë këta, nëse ka fonde bashkia le ta mbajë. E kam të vështirë të kuptojë, për sportin në Shqipëri dalin 15 milionë euro nga bashkitë. Këtë se kuptoj, sa marrin klubet shqiptare nga bashkitë dhe ku shkojnë lekët? Kjo është për t’u analizuar!

Kur i kthehemi ndeshjes së fundit me Vllaznia. Çfarë ka shkuar keq?

Po përveç nja dy ndeshjeve në këtë fazë të parëm ne kemi luajtur mirë. Dhe me Vllazninë ishte ajo dalje me karton të kuq e Deliajt që e prishi lojën, pasi deri në atë moment ishte mirë. Fatkeqësi ishte për mua, pasi është djali më i edukuar në Vlorë. Madje i thashë me batutë: “Po edhe ti që je më i qeti, dje të ra damari i vlonjatit?”(Qesh).

Në media u përfol edhe për një grindje tënden me mbrojtësin Sarris…

Jo aspak, aspak. Unë e vlerësoj Sarris më kualitetet që ka. Është një “gangster” nga Kreta, njësoj si ne vlonjatët. Vetëm shaka kam bërë me të. Mos mendoni se unë i kritikoj pafund lojtarët. Nuk jam nga ata. Madje kemi bërë një mbledhje së fundmi me ekipin dhe u kam thënë hapur: “Kë doni trajner? Më thoni emrin, se ua sjell unë”.

Tani kur i kthehemi situatës së përgjithshme, nuk duket dhe aq mirë. 2 pikë në 9 ndeshje, si do të dilet nga kjo situatë?

E mira dhe ajo që po shohim të gjithë në këtë kampionat, është që nuk ka diferenca. Pra ekipet janë aty-aty. Por më duhet demarkacioni në këtë rast, që të më krijojë shansin për të hyrë investim. Por këtu në Shqipëri ka shumë historira të veçanta që dëgjon dhe problem ynë është një prej tyre.

Po sa i përket mediave. Osmani tha se gazetarët e rrëzuan Tiranën nga elita, a mund ta bëjnë me Flamurtarin?

Shiko, mediat kanë punën e tyre dhe duhet të shkruajnë. Kur është një ditë me shi, nuk mund të thuash që paska shumë diell. Ne këtu e kemi një gjë të keqe që prekemi shumë kur shkruhet kundër nesh. Por sigurisht, në 100% të shkrimeve nga mediat, 20% janë tollombace. Ajo që nuk më duket e duhura mua është kur klubi i lagjes kalon në studio televizive dhe aty kërcasin qoftet dhe mezet. /Sport Ekspres/