Është mbajtur këtë të mërkurë Asambleja e Përgjithshme e Zakonshme e Shoqatës Rajonale të Futbollit Shkodër, ku të pranishëm ishin 14 nga 16 anëtarët e kësaj shoqate dhe u morën disa vendime shumë të rëndësishme për mbarëvajtjen e futbollit në këtë rajon.
Në fillim të mbledhjes, Kryetari i ShRFSh-së, Lazer Matija njohu 14 anëtarët e pranishëm me raportin vjetor të shoqatës, duke nënvizuar arritjet e bëra gjatë vitit që lamë pas si edhe problematikat e kësaj shoqate. Gjatë kësaj Asambleje, të gjithë anëtarët diskutuan lidhur edhe me aktivitetin dhe projektet e ardhshme të Shoqatës Rajonale të Futbollit Shkodër.
I pranishëm në këtë Asamble të Zakonshme të ShRFSh ishte edhe anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, z. Bardhyl Jera, i cili i uroi punime të mbarë anëtarëve të shoqatës, ndërsa nënvizoi se Federata Shqiptare e Futbollit është dhe do të vijojë të jetë mbështetja kryesore për të zhvilluar më tej futbollin në këtë rajon.
Në Asamble u miratuan disa pika: Procesverbali i mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme paraardhëse, u miratuan pasqyrat financiare si edhe buxheti për vitin 2023 për këtë Shoqatë. Gjithashtu, Shoqatës Rajonale të Futbollit Shkodër do i shtohen edhe pesë anëtarë të rinj me të drejta të plota që janë: Shkodra 2006, Besania, Don Bosko, The Door dhe Vllaznia Femra. 14 anëtarët e ShRFSh votuan pro pranimit të këtyre shoqatave.
Gjatë Asamblesë u zgjodhën përmes votimit të anëtarëve edhe delegatët që do përfaqësojnë Shoqatën Rajonale të Futbollit Shkodër në Asamblenë e Përgjithshme të Zakonshme të FSHF. Delegatët e përzgjedhur me votat e anëtarësisë janë tre: Lazer Matija, Brikeno Brizi dhe Alfred Pjetri.