Ish-sulmuesi i njohur i Partizanit, Ylli Shehu, ishte pjesë e panelit në studion emisionit “Ora Sport” në “Ora TV”. Duke marrë shkas nga derbi i kryeqytetit, të pranishmit janë kthyer pas në kohë për të kujtuar edhe periudhën e Shehut me fanellën e “demave të kuq”, si dhe me përvojën e tij në futbollin europian. Eduart Zhupa ka treguar edhe një episod mjaft të bukur nga eksperienca e 56-vjeçarit në Greqi, ku trajneri i vendoste gjobë sa herë që kalonte topin mes këmbëve të shokëve të skuadrës. Një veprim që ishte mënyrë e lojës së tij, por që për trajnerin e Apollonit nuk është parë njësoj.
“Edhe kur ka qenë te Apolloni në Greqi, Ylli e ka pasur mënyrë loje dhe në stërvitje kalonte topin mes këmbëve. Trajneri i thotë që: “Mos e bëj më, se do të marrësh gjobë”. E gjobisnin se i kalonte topin mes këmbëve, por nuk e dinin që ai ashtu e kishte mënyrën e lojës. Atëherë gjoba ishte 5 mijë-10 mijë dhrami“, ka treguar Eduart Zhupa./Halit Delibashi-Sport Ekspres/