Vllaznia ka arritur ti rrëmbejë një fitore Kukësit në sekondat e fundit. Sfida e luajtur mbrëmjen e sotme në “Loro Boriçi“ është mbyllur me rezultatin 2-1 për kuqeblutë. Kukësi flirton i pari me golin, teksa trondit për një moment shtyllën. Por ai që gjen i pari rrugën e rrjetës ishte Da Silva.
Erdenis Gurishta jep një harkim perfekt në zonë në minutën e 42-të, i cili shfrytëzohet më së miri me kokë nga Da Silva. Pjesa e parë mbyllet me epërsinë e shkodranëve. Kuqeblutë kanë ruajtur avantazhin deri në minutën e 80, kur Bruno Lulaj rikthen baraspeshën. Taipi lëshon një predhë nga distanca, që është e pamundur të kontrollohet nga portieri Zogoviç. Topi i shpëtuar nga duart e tij bie në këmbët e Lulajt, i cili e shtyn në rrjetë.
Megjithatë ndeshja përfundon atëherë kur i fryn bilbilit arbitri dhe kjo shprehje merr vlerë edhe në “Loro Boriçi“. Mehdi Coba bën heroin për Vllazninë, teksa hyn në fushë nga stoli dhe në sekondat e fundit të ndeshjes shënon golin e fitores. Stadiumi shpërthen i gjithi në festë, e cila është e gjitha legjitime përballë një kundërshtari direkt si Kukësi. Vllaznia shkon kështu në vendin e tretë në renditje, duke hedhur kështu njërën këmbë në Kupat e Europës./Halit Delibashi-Sport Ekspres/