Uzuni dhe Gripshi do të vijnë sonte, Shqipëria nis grumbullimin për Poloninë pa 3 lojtarë të rëndësishëm

Kombëtarja shqiptare ka nisur sot grumbullimin në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen e fazës play off për Botërorin 2026 ndaj Polonisë. Ekipi i drejtuar nga trajneri Silvinjo zhvilloi pasditen e sotme stërvitjen e parë në “Shtëpinë e Futbollit”, ku fokusi ishte palestra, ushtrime fizike dhe skema taktike në fushë.

Në fushë zbritën 23 lojtarë, ndërkohë që Myrto Uzuni, Nazmi Gripshi dhe Ylber Ramadani do t’i bashkohen skuadrës sonte, Uzuni dhe Gripshi për shkak të udhëtimit dhe Ramadani për arsye familjare, pasi është bërë baba për herë të tretë pikërisht ditën e sotme.

Ditën e nesërme Kombëtarja do të zhvillojë një tjetër seancë stërvitore në “Shtëpinë e Futbollit”, ndërkohë që ekipi do të udhëtojë të mërkurën drejt Varshavës për të luajtur ndeshjen ndaj Polonisë në datë 26 mars, ora 20:45.