Nuk ka më pritje. Tirana shpallet zyrtarisht kampione e “Abissnet Superiores“ për këtë sezon. Pas disfatës me Laçin dhe Kastriotin dhe barazimit me Teutën, tashmë bardheblutë mund të festojnë lirshëm titullin numër 26 në historinë e tyre. Duket se zyrtarizimi ishte lënë për derbin ndaj Partizanit, për të shijuar kështu suksesin më të ëmbël të arritur ndonjëherë. Megjithëse i zhvendosur në Elbasan, derbit nuk i mungoi spektakli as në fushë e as në tribuna. Skuka hap i pari serinë e golave, teksa në minutën e 20 realizon ndoshta golin më të bukur të karrierës së tij. Një goditje me roveshatë dhe festa e çmendur me tifozët e “demave të kuq” është e pashmangshme.
Por epërsia zgjat pak, pasi 7 minuta më vonë Seferi shkund rrjetën e Alban Hoxhës. Sulmuesi i Tiranës e kërkonte me ngulm golin dhe shfryn menjëherë gjithë nervat dhe tensionin e grumbulluar në momentin që feston. Ndërkohë pjesa e dytë nis me përmbysjen e bardhebluve. Vetëm pak sekonda nga nisja e lojës dhe Enur Totre dhuron një magji nga distanca. Skuka kërkon një penallti pak minuta më vonë, por pas rishikimit të pamjeve me VAR, Hamiti ndryshon mendim dhe e lë lojën të luhet. Skuadrat kanë kërkuar deri në minutat e fundit të ndeshjes, por pa mundur të ndryshojnë fatin e derbit. Tirana fiton me rezultatin 1-2 dhe shpallet kështu kampione e “Abissnet Superiores”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/