Të hënën do të luhet ndeshja më e zjarrtë e kampionatit shqiptar, ajo mes Partizanit dhe Tiranës. Është përcaktuar përfundimisht edhe stadiumi që do të presë derbin e kryeqytetit. Pas mëdyshjeve nëse sfida do të luhej në stadiumin e ri të Partizanit, apo në “Air Albania“, është zgjedhur mundësia e dytë. Një alternativë që është përkrahur edhe nga tifozët besnikë të “demave të kuq“. “Ultras Guerrils“-at kanë shpërndarë një postim që faqen e tyre zyrtare në “Facebook“, ku shprehin përkrahjen për zhvillimin e derbit në “Air Albania“. Më tej nuk mungojnë as thumbimet për tifozerinë e Tiranës, teksa shkruajnë se në të kundërt nga ata, nuk dëshirojnë të vënë kundërshtarët në kushte të pabarabarta, pasi nuk i frikësohen tifozerive rivale.
“Derbi luhet vetëm aty ku i ka hije, ku ka më shumë tifozë dhe më shumë atmosferë. Stadiumi Partizani, rrëzë malit të Dajtit nuk i ka akoma kapacitetet për të pritur një ndeshje të tillë. Mentaliteti jonë nuk na lejon të bëhemi palë në situata ku tifozeria kundërshtare vendoset me qëllim në kushte të pabarabarta. Këtë e kemi treguar me veprimet dhe me qëndrimet tona ndër vite.
Janë klube të tjera ato që për shkak të frikës së tifozëve kanë dashur të ngujojnë derbin në Peqin, apo për shkak të frikës së humbjes së pronës bashkiake në përdorim kanë parapëlqyer Elbasanin. Janë të tjera tifozeri ato që nga inferioriteti kanë ushtruar presion klubit të vet vetëm që klubi dhe tifozeria kundërshtare të shfavorizohet dhe të vendoset në kushte të pabarabarta duke harruar ngjarjet e mëparshme dhe “ultras mentalityn” që për ta është fjalë e huaj. Veprimet e tyre i shprehën me boj-kot, dhe i paguan me rënie nga kategoria. Shihemi të hënën….”, ka shkruar “Ultras Guerrils”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/