“Tirana ka humbur 2-3 herë me të fundit në renditje“! E pyesin për Carën, Kolela: Do shqetësohesha nëse një lojtar stoli do ishte i kënaqur

Festa e fitores në derbi ka mbaruar dhe tani Partizanin e pret një tjetër përballje e vështirë. Të kuqtë do të ndeshen me Vllazninë ditën e nesërme. Një sfidë mes sdy ekipeve pretendente për titullin kampion, në të cilën synimi i vetëm për secilin kamp është fitorja. Xhovani Kolela ka qenë sot i pranishëm në konferencën për shtyp, ku ka folur për përballjen e nesërme, pikët e lëna në kampionat, si dhe me impaktin që la Tedi Cara pas hyrjes nga stoli për të shënuar golin e dytë në derbi.

Diferencat me Vllazninë:

“Diferenca mes Vllaznisë dhe Partizanit është vetëm 3 pikë, nuk ka as avantazhe dhe as disavantazhe. Janë 7 skuadra në 6 pikë. Vllaznia është një skuadër e mirë me shumë cilësi, ndaj nuk ka pikë të dobëta. Nuk është se kemi vuajtur vetëm kundër Vllaznisë, edhe ndaj Laçit. Është një problem që kemi pyetur veten disa herë dhe që jemi munduar të përmirësohemi, por nuk ka një arsye të vetme që bën mirë apo bën keq”.

Pikët e lëna me skuadrat e dobëta

“Cilat janë skuadrat e forta dhe të dobëta?! Të gjithë po vuajnë me to. Meqë jemi brenda 6 pikësh pak a shumë, do të thotë të gjithë pak a shumë kanë pasur rrugëtimin tonë. Jemi të gjithë aty. Ndaj do të thotë që në këtë kampionat të gjithë kanë ecur në të njëjtën mënyrë.

Tirana për shembull ka humbur 2-3 herë me të fundit në klasifikim. Janë gjëra që ndodhin dhe pikë, ndërsa ka momente që bën mirë. Pastaj kjo puna e skuadrave më të forta e të dobëta, në këtë kampionat nuk pranohet kjo shprehje. Kukësi fitoi sot dhe është 6 pikë pas nesh. Ecuria ka qenë e njëjtë për të gjitha skuadrat. Teuta ishte e fundit përpara 10 javësh dhe ne humbëm ndaj tyre ndërsa tani po ngjitet ndjeshëm në renditje”.

Reagimi i Carës në derbi dhe pritshmëritë për lojtarët që hyjnë nga stoli:

“Unë mendoj se lojtarët paguhen për të luajtur. Janë profesionistë dhe gjithmonë duhet të japin 100% të asaj që i kërkohet dhe unë jam ai që vendos çfarë i kërkohet. Secili bën punën e tij. Absolutisht është e drejtë që një lojtar i cili nuk e nis ndeshjen titullar mund të mos jetë i kënaqur. Do të preokupohesha më shumë po të ishte i kënaqur. Pastaj nëse bëjnë siç bëri Cara në derbi, apo edhe të tjerët në situata të tjera, hyjnë dhe japin 150% të tyre edhe në 5 minuta, unë jam i lumtur. Kjo është e vetmja mënyrë për të bindur trajnerin që ka gabuar“, ka deklaruar Xhovani Kolela./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *