Trajneri i Apolonisë, Kolela, është larguar nga skuadra pas një nisje aspak të mirë në Superiore. Ekipi i ardhur nga Kategoria e Parë krijoi përshtypjen se mund të ishte një surprizë e bukur në elitën e futbollit tonë, por deri në javën e pestë të kampionatit nuk e ka marrë ende fitoren e parë. Me në krye trajnerin italian, projekti i ri nuk zgjati shumë. Një nga karakteristikat e Kolelës është se në konferencat për shtyp jepte gjithçka për mediat, duke sqaruar çdo problem të Apolonisë, ndonjëherë edhe më tepër nga çfarë duhej.
Megjithatë në ndeshjen e radhës do të vinte po e njëjta paraqitje, të njëjta gabime që skuadra i paguante duke lënë pikët. Shpeshherë italiani mund të ngatërrohej si të ishte një tifoz i Apolonisë që dinte gjithçka mbi problematikat që duheshin rregulluar, por nuk kishte asnjë fuqi për të ndryshuar situatën.
E kjo mbetet arsyeja kryesore e dorëheqjes që Kolela ka paraqitur te presidenca, me raportimin e largimit që ka ardhur nga “Panorama Sport”. Tekniku italian u shpreh në ditën e djeshme se ekipi i ndryshon nga pjesa e parë në të dytën dhe kjo kishte ndodhur për shumë takime radhazi. Sa i përket teknikut të përkohshëm do të jetë Nikol Çoçlli, një emër i njohur për fierakët dhe Superioren. /Sport Ekspres/