Kallaku ishte njeriu i ndeshjes në sfidën e sotme mes Teutës dhe Kukësit. Mesfushori shqiptar shënoi dy golat e fitores në Kupën e Shqipërisë dhe dëshmon në këtë mënyrë formën e mirë që po kalon në Durrës.
Teuta është shtëpia e tij e dytë dhe këtë e pranon vetë Kallaku në prononcimin e dhënë për emisionin “Ti Bo Gol“ në “Oversport“ pas përfundimit të ndeshjes. Lojtari 25-vjeçar ka treguar edhe problemin që e pengoi të shpërthente te Partizani, teksa sipas tij pritshmëritë e shumta në një kohë mjaft të shkurtër bënë që ajo eksperienvë me “demat e kuq“ të mos shkonte në mënyrën më të mirë të mundshme.
“Këtu ndihem si në shtëpinë time. Te Partizani ndoshta prisnin të lulëzoja për dy javë. Por lojtari do kohën e vetë. Këtë nuk e them për justifikim, pasi unë marr përgjegjësitë e mia. Kur gaboj e them”, ka thënë Sherif Kallaku./Halit Delibashi-Sport Ekspres/