Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, është takuar së bashku me trajnerin Edi Reja. “Sport Ekspres” mëson se biseda e tyre është zhvilluar te “Plaza”, por akoma nuk është vendosur përfundimisht sa i përket së ardhmes.
Sipas informacioneve tona do të ketë një tjetër takim për të mbërritur në konkluzion. I vetmi problem në këtë rast është mosha dhe asgjë nuk lidhet me çështjen e pagesës. Drejtuesit e FSHF-së kanë dyshime dhe sesa do ta përballojë trajnerin italian vazhdimësinë e kontratës për 4 vitet e ardhshme dhe ndërtimin përtej Botërorit.
Pra ajo që kërkohet është një projekt afatgjatë për Kombëtaren që faktikisht vazhdon më gjatë se kualifikueset e ardhshme, pasi dihet nga vetë formula e Botërorit se gjasat janë të pakëta për të arritur mrekullinë. Atje vetëm vendi i parë kalon direkt, ndërsa vendi i dytë i kualifikueseve shkon në “Play-Off”. Kjo është pjesa e vetme që e penalizon Rejën dhe do të pritet deri në ditët e ardhshme për të dhënë vendimin përfundimtar, ku ndryshe nga më parë, tani asgjë nuk përjashtohet. /Sport Ekspres/