Kombëtarja angleze prodhon gjithnjë lajm, edhe pse shpesh për arsyen e gabuar, sepse në fushë nuk bën asgjë të madhe prej dekadash.
Ditët e fundit në Angli ka plasur një polemikë e ashpër në lidhje me një veprim të sulmuesit të Mançester Sitit, Rahim Sterling, i cili ka bërë tatuazh një automatik në këmbë, duke postuar foton në Instagram.
Aq u desh që në Angli të bëhej nami, aq sa është kërkuar edhe përjashtimi nga kombëtarja për talentin e Sitit, nëse nuk heq tatuazhin dhe nuk kërkon falje publike.
Megjithatë, historia ka edhe versionin e Sterling, i cili në Instagram ka shkruar një mesazh për gjithë personat që e akuzojnë: “Kur isha dy vjeç, babai im u vra nga një person me armë. Që i vogël vendosa të mos prekja armë me dorë dhe të ‘qëlloja’ vetëm me këmbën time të djathtë. Për këtë arsye, ai tatuazh ka një domethënie shumë më të thellë, përveçse nuk ka përfunduar ende”.