Gjermania, kampione bote në fuqi, përgatitet për Botërorin rus me synim të vetëm konfirmimin në majën e botës, si zakonisht. Duke qenë gjermanë, edhe rregullat janë të hekurta dhe do të respektohen nga të gjithë, sepse nuk ka sukses pa disiplinë.
Trajneri Joakim Lëv ka përgatitur një listë me rregulla dhe pret bindje nga lojtarët: “Djemtë e dinë mirë çfarë kërkojmë në aspektin e sjelljes. E dinë cilat janë ambiciet tona dhe cilat janë detyrat tona. Megjithatë, jemi pjesë e një mozaiku, nuk bëhemi dot kampionë pa qenë të bashkuar”.
RREGULLAT – Së pari, respekt! Askush nuk duhet të vendosë interesat e tij para atyre të skuadrës. Mjafton të kujtohet Botërori 2014, ku Kloze e nisi si lojtar stoli, edhe pse synonte të bëhej shënuesi më i mirë i gjithë Botërorëve, por i mori vendin Gëces gjatë turneut, me këtë të fundit që nuk bëri fjalë dhe në finale u fut nga stoli për të siguruar trofeun. Po ashtu, para finales Kedira vendosi të kërkonte mospërfshirjen në formacion, pasi nuk ndihej në formë perfekte për një dëmtim, tjetër sinjal se suksesi i skuadrës vinte para lavdisë personale.
Lëv kërkon kujdes maksimal edhe me rrjetet sociale: asnjë foto nga hoteli apo nga dhomat e zhveshjes, asnjë intervistë pa leje dhe asnjë informacion i rezervuar për mediat.
SEKSI DHE ALKOOLI – Para Kupës së Botës lojtarët e Gjermanisë do të kenë mundësi të takohen me familjet apo të dashurat, por në Rusi do të ndalohet udhëtimi i të afërmve së bashku me ekipin. Nuk do të lejohet as seksi, të paktën jo deri sa të jenë arritur disa objektiva.
Në të kundërt, Lëv do të lejojë alkoolin: një birrë apo një gotë verë herë pas here nuk do të jetë problem, por natyrisht me masë gjithçka.