Baloteli nuk ndryshon dhe është e vështirë për ta menaxhuar këtë sulmues. Sa shumë histori që ka për mungesën e disiplinës nga ky sulmues, ndërsa së fundmi e provon edhe Breshia. Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, sulmuesi në fjalë e kishte paksa me tallje stërvitjen dhe nuk ishte mjaftueshëm serioz, duke mos treguar impenjim dhe dëshirë.
Kjo solli edhe një përplasje ku trajneri Grosso i ka dhënë dritën jeshile largimit para kohe nga seanca stërvitore. Ndërsa vetëm para pak orësh, Baloteli kishte bërë xhiron e mediave pasi komplimentonte ish-të dashurën për të pasmet e saj. Pra, disa gjëra të tjera kanë paksa më tepër prioritet për të.
E kush më mirë sesa rrëfimi i Murinjos për “CNN” përpara disa vitesh mund ta përshkruaj Balotelin? “Unë për të do të shkruaja një libër me 2500 faqe. Nuk do të ishte një libër dramatik, por me komedi. Përshembull t’ju tregoj një rast. Kur ishim te Interi dhe do të luanim kundër Rubin Kazan. Unë isha pa sulmues, pa Eton, pa Militon. Kisha vetëm Mario Balotelin. Pasi kishte marrë karton të verdhë në pjesën e parë, e shpenzoj gjithë pushimin mes pjesëve vetëm me të.
Më saktësisht, ato 14 minuta nga 15 të mundshme. I them: “Mario unë nuk kam qëllim të ndryshoj ty. Nuk mund të ndryshoj dot. Por t’i je sulmuesi im i vetëm. Luaj vetëm me topin. Nëse ka provokime, asnjë reagim. Nëse kundërshtarët kanë topin, mos rreziko me asnjë ndërhyrje. Nis pjesa e dytë, minuta e 46, kartoni i kuq për Balotelin”. Këtij libri të Murinjos nëse do të realizohet, padyshim që duhet t’i shtohen edhe faqe të reja. /Sport Ekspres/