Java e 23-të e “Abissnet Superiore“-s është mbyllur me dy rezultate befasuese. Tirana është mposhtur në shtëpi me shifrat 0-2 nga Teuta, e cila nën drejtimin e Edi Martinit konfirmohet edhe një herë si “macja e zezë” e bardhebluve. Ndërkohë, edhe Vllaznia largohet nga stadiumi me një rezultat zhgënjyes. Shkodranët janë mposhtur në shtëpi me shifrat 0-1 nga Kastrioti. Pas përfundimit të ndeshjeve, protagonistët kanë dhënë intervistat e tyre për emisionin “Ti Bo Gol” në “Oversport”.
Martini (Teuta): “Ishte një ndeshje e tensionuar. E shihja karikimin e lojtarëve, e shihja karikimin tim para ndeshjes. Emocione që pranohen. Nuk i prisja (këto rezultate). Por kam fituar shumë me këta djem, i kam fituar të gjitha. Pyesja veten: “Përse këta djem janë në këto pozita”? I thashë djemve që jemi shumë herë më mirë se ndeshjen e parë që e kemi fituar në Durrës. E shihja që mezi prisnin të hynin në fushë. Nga i pari, te i fundit, të gjithë dhanë maksimumin dhe meritojnë përgëzime.”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/