Nuk do të ketë zgjedhje në KOKSH, presidenti Bezhani bën thirrje: Duhet të ndërhyjë Ministria

Komiteti Ekzekutiv dhe kreu i KOKSH-it vijojnë të kenë një ngërç mes tyre. Komiteti Ekzekutiv pak ditë më parë njoftoi mbajtjen e dy asambleve, atë statutore dhe atë zgjedhore, në muajin dhjetor. Diçka kjo që bie ndesh me ligjin, ndërsa vetë presidenti i FSHF-së renditi me një letër drejtuar KOKSH-it të gjitha arsyet përse mbajtja e këtyre dy asambleve ishte e jashtëligjshme.

Ndërkohë për mikrofonin e “Report TV” ka folur edhe vetë kreu i Komitetit Olimpik, Viron Bezhani, i cili nënvijëzon se asambleja zgjedhore nuk mund të zhvillohet këtë vit, ndërsa në pikëpyetje të mëdha është edhe ajo statutore e planifikuar për 13 dhjetor. Gjithashtu Bezhani shton se Ministria e Arsimit dhe Sportit duhet të ndërhyjë në këtë situatë për t’i dhënë fund ngërçit të krijuar.

“Është me të vërtetë një njoftim, por që është i jashtëligjshëm përsa i përket zgjedhjeve. Njoftimi im zyrtar, që e ka ligji dhe statusi, është 13 dhjetori, për ndryshimet statutore, pasi nuk mund të bësh dot zgjedhoret pa bërë këtë më herët. Duhet të ndryshohet statusi, të firmoset nga ministria, sepse kështu injorohet ministria. Sipas ligjit ministria ka limit deri në 60 ditë për të parë ndryshimet statutore dhe më pas mund të kalohet në asamblenë e jashtëzakonshme zgjedhore.

Ne edhe datën 13 mund të mos e organizojmë asamblenë pasi akoma nuk e kemi marrë një shkresë ku të thuhet se ne lejohemi të bëjmë një organizim me 100 veta.

Vendimtare duhet të jetë ministria që duhet të menaxhojë këto aktivitete, sepse nuk mund të lihen në këtë mënyrë. Pse e them këtë? Nëqoftëse ka shkelje statutore ne nuk mund të vendosim dot veton se kush ka të drejtë apo të gabuar”, është shprehur Viron Bezhani./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *