Federata Shqiptare e Futbollit vijon përgatitjet për organizimin e kurseve për trajnerë të të gjitha niveleve në sezonin e ri, teksa ka hapur tashmë regjistrimet për disa lloje licencash, duke nisur që nga niveli UEFA B e deri te UEFA Pro, që është edhe më e rëndësishmja për një trajner futbolli.
Sakaq, Drejtoria Teknike pranë FSHF është fokusuar njëkohësisht edhe në procesin e rinovimit të licencave për trajnerët që e zotërojnë një të tillë e që duhet ta përditësojnë pasi u ka skaduar afati i vlefshmërisë. Kësisoj, FSHF u bën me dije të gjithë trajnerëve që u ka skaduar licenca se në muajin gusht do të nisin edhe rinovimet e licencave për kurset UEFA Pro, UEFA A dhe Uefa B.
Të gjithë trajnerët të cilët kanë këto licenca duhet të paraqiten në Shtëpinë e Futbollit për të kryer rinovimin e licencave konkretisht në këto data: UEFA B më 22-23-24 gusht 2022; UEFA A më 25-26-27 gusht 2022; UEFA Pro më 29-30-31 gusht 2022.
Tarifat e regjistrimit për rinovimin e licencës së trajnerit janë si më poshtë:
Licenca UEFA B – 5.000 lekë
Licenca UEFA A – 7.000 lekë
Licenca UEFA Pro – 10.000 lekë
Drejtoria Teknike në FSHF dëshiron të sqarojë të gjithë trajnerët që kanë në zotërim një nga këto tre licenca se procesi i rinovimit është i detyrueshëm dhe se licenca nuk do të jetë me vlefshme nëse nuk është e rinovuar. Për t’u regjistruar aplikuesit duhet të dërgojnë në adresën drejtoria.teknike@fshf.al këto dokumente:
Fotokopje e ID ose e Pasaportës;
Fotokopje të licencës;
Numër kontakti.
FSHF bën me dije se aplikimet për rinovimin e licencës së trajnerit do të mbyllen më datë 15 gusht 2022