Një risi e re vjen nga FSHF me njoftimin zyrtar, kursi i trajnerëve për licencën UEFA C nis edhe në Fier

Prej disa javësh, kursi për trajnerët e licencës UEFA C, i organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit ka nisur në qytetin e Tiranës. Për herë të parë, Sektori i Edukimit në FSHF do të organizojë kursin për t’u pajisur me licencën ‘UEFA C’ edhe në qytetin e Fierit, një kurs dedikuar të gjithë të apasionuarve pas futbollit që dëshirojnë të bëhen pjesë e këtij sporti dhe të kualifikohen me një licencë fillestare siç është ajo e ‘UEFA C’.

Duke parë kërkesat e larta të qytetarëve nga jugu i vendit, të cilët duan të angazhohen në lojën e futbollit, FSHF do të organizojë për herë të parë kursin për licencën ‘UEFA C’ në zonën e Fierit, teksa më parë ka organizuar edhe kurse të nivelit ‘UEFA B’. Një risi nga institucioni i futbollit në vend, ku sipas direktivave të UEFA-s, “licenca” duhet të shkojë te trajneri, për të pasur një shpërndarje të këtij kursi në të gjithë vendin dhe për të përmirësuar dhe për të rritur cilësinë e trajnerëve.

Në këtë edicion të parë të organizimit të kursit në Fier, pjesëmarrja maksimale do të jetë 35 persona, teksa kursi do të jetë i ndarë në tre blloqe leksionesh, duke filluar nga 13 marsi për t’u përmbyllur më 24 maj. Në këtë kurs, që do të udhëhiqet nga Sektori i Edukimit në FSHF, do të marrin pjesë ish-futbollistë, mësues të edukimit fizik, por edhe persona që janë të apasionuar pas futbollit dhe duan të zhvillojnë një karrierë në këtë sport. Mosha minimale për t’u regjistruar në kurs është 20 vjeç dhe kandidatët duhet të dërgojnë në adresën elektonike drejtoria.teknike@fshf.al diplomën e shkollës së mesme, aktivitetin që ushtrojnë, numrin e kontaktit si edhe një fotokopje të letërnjoftimit apo pasaportës.

Gjithashtu, nuk do të pranohen në kurs ata persona që nuk përmbushin kushtet e mëposhtme:

Kërkesat e dërguara nga kandidatët e dënuar mbi 180 ditë nga Komisionet Disiplinore të FSHF-së;

Studentët të cilët, ndërsa ndjekin kursin, do të pësojnë një pezullim prej më shumë se 180 ditësh nga Komisionet e FSHF-së;

Kandidatët e dënuar përjetësisht nga Komisionet e FSHF-së;

Studentët të cilët gjatë zhvillimit të kursit dënohen nga autoritetet pezullohen nga kursi.

Kërkesa për t’u regjistruar në kursin UEFA C, duhet të dërgohet përmes postës elektronike në adresën drejtoria.teknike@fshf.al ose përmes postës së zakonshme me konfirmim marrje në adresën Rr. Liman Kaba, Nd 5, Hyrja 1, Njësia Administrative 5, Kodi Postar 1019, Tiranë ose të dorëzohen fizikisht pranë sekretarisë në të njëjten adresë. Afati i fundit për paraqitjen e kërkesës është data 10 mars 2023 dhe të gjitha aplikimet që mbërrijnë pas afatit nuk do të pranohen.

Kursi i licencës UEFA C është i bazuar në katër shtylla që janë: trajneri, lojtari, ndeshja dhe ambienti, ndërkohë që kjo licencë është edhe baza e trajningut prej nga ku nis edhe rrugëtimi për t’u bërë trajner profesionist. Të gjithë personat që pajisen me licencën UEFA C kanë mundësinë të trajnojnë skuadra në futbollin amator dhe mund të punojnë si zëvendës-trajnerë me ekipet e moshave që marrin pjesë në kampionatet e të gjitha niveleve të organizuara nga FSHF në vend.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online