Ekipi kombëtar U-17 ka zhvilluar sot një seleksionim me lojtarët e evidentuar të vitlindjeve 2005-2006, të cilët aktivizohen me skuadrat e kampionatit shqiptar, lojtarë të cilët prej kohësh kanë qënë nën vëzhgimin e sektorit të ekipeve kombëtare në Federatën e futbollit.
Rreth 45 lojtarë të kësaj moshe janë vënë sot nën urdhrat e trajnerit të ri, Ervin Bulku, i cili ka drejtuar seancën stërvitore i asistuar edhe nga zyrtarët e sektorit të ekipeve kombëtare, që kanë ndjekur këtë seleksionim që u zhvillua në qendrën e ekipeve kombëtare në Kamëz. Nuk mungonin kryeskauti i FSHF-së, Xhemal Mustendanagiç, specialisti i ekipeve Kombëtare, Sulejman Mema, trajneri i ekipit Kombëtar U-15, Armand Dama, etj.
Fillimisht të gjithë lojtarët e ftuar kanë zhvilluar ndeshje kontrolli, duke u aktivizuar që të gjithë e më pas i janë nënshtruar testeve fizike në mënyrë që stafi kuqezi të krijonte një ide më të qartë për formën e gjithsecilit. Duke folur për fshf.org, trajneri Bulku rrëfen synimet e tij në këtë aventurë të re dhe shpalos objektivat që ka me këtë grup-moshë.
“Ndihem shumë i vlerësuar nga Presidenti Armand Duka dhe Federata Shqiptare e Futbollit që më kanë besuar drejtimin e grupmoshës së 17 vje?arëve, që është mosha më e rëndësishme duke parë që fillojnë të hidhen hapat e parë të një futbollisti profesionist dhe ndërton karrierën e tij. Nga momenti që më kanë besuar drejtimin e skuadrës kam filluar të ndjek kampionatin e kësaj grupmoshe në 4-5 ndeshje duke parë kohën në dispozicion.
Sot është seleksionimi im i parë ku sëbashku me stafin tim po shikojmë me imtësi këtë grupmoshë sepse duhet të bëjmë më të mirën, duhet të punojmë shumë fort për ti shpërblyer besimin drejtuesve që na besuar. Kontributi jonë duhet të jetë i madh për të seleksionuar më të mirët e kësaj moshe në mënyrë që të jenë pjesë e ekipeve kombëtare dhe ti shërbejnë në të ardhmen kombëtares shqiptare. Ne do të mundohemi të bëjmë më të mirën në punën tonë”, përfundoi komentin e tij trajneri Bulku.