Nga shkëlqimi dhe kërkimi me ngulm për ta parë të veshur kuqezi në zërat që kërkojnë largimin nga klubi, të gjitha këto ndodhën brenda një viti për Kristof Piatek. Ky i fundit nuk po shfaq më produktivitet për sulmin e Milanit dhe kjo po i sos durimin tifozëve të ekipit, ndërsa drejtuesit po e mendojnë seriozisht huazimin e tij diku tjetër. Por polaku nuk e ka humbur besimin te vetja dhe në një intervistë për mediat e vendit të tij tregon ambicien e tij që në të ardhmen vlera e tij në treg të dyfishohet. Ndërkohë sa i përket formës shprehet se do të qëllojë sërish.
“Kur u transferova në Milano gjithçka ndodhi aq shpejt sa nuk bëra pyetje. Isha I përqendruar te puna, në futboll çdo gjë ka të bëjë me vendosjen e objektivave të reja. Tani vlej 38 milionë, por herën tjetër që do të ndërroj klub do të vlej 60-70 milionë. Duhet të jem ambicioz, duhet të punoj për këtë gjë. Jam në nisje të karriertës sime dhe është vetëm sezoni im i dytë në Serie A, një nga pesë kampionatet më të mira.
Shihem në pasqyrë dhe kërkoj për fajin brenda meje. Në fillim nuk krijonim shumë mundësi si ekip. Në po përmirësohemi dhe unë do të qëlloj përsëri. Për gazetarët italianë një ditë je papa i futbollit dhe ditën tjetër je lojtari më i keq. Unë e pranoj këtë. Askush nuk e vë veten e tij në vendin tim, artikujt e gazetave nuk më prekin”, ka deklaruar Piatek./Sport Ekspres/