Shqipëria nis debutimin e saj në kualifikueset e Europianit me transfertën ndaj Polonisë. Tifozët shqiptarë presin shumë nga Kombëtarja me ardhjen e trajnerit të ri, Silvinjo. Braziliani dhe Zabaleta premtojnë, po aq sa ky grup i kuqezinjëve, pavarësisht mungesave. Emocionet janë të mëdha, që nga Prishtina e deri në Tiranë, pa harruar edhe trevat e tjera shqiptare që frymojnë KUQ E ZI. Sport Ekspres ka intervistuar dy gazetarët shqiptarë të Kosovës, Mërgim Rrecaj dhe Lorik Jashanicën. Ky i fundit është i bindur se Myrto Uzuni do të marrë rolin e liderit dhe për herë të parë do t’i dhurojë suksesin Shqipërisë, pasi në të kaluarën, golat e sulmuesit të Granadas nuk kanë qenë edhe aq deciziv për fatin e takimit.
“Shqipërinë e pret një ndeshje mjaft e vështirë ndaj Polonisë, duke marrë parasysh së fundmi edhe dëmtimet në fazën e mbrojtjes, ku fatkeqësisht kjo po bëhet rutinë para ndeshjeve me rëndësi. Ana pozitive e kombëtares shqiptare mendoj momentalisht është forma optimale e Uzunit, ku sipas meje ai është në pikun e karrierës së tij dhe kjo duhet shfrytëzohet nga trajneri Sylvinho. Kam përcjellur rregullisht Uzunin dhe ai duhet të jetë pika kyçe e kombëtares në këtë ballafaqim, ku pres që të marrë epitetin e liderit dhe të na sjellë një fitore të madhe në transfertë. Unë mendoj se Uzuni do të shënojë kundër Polonisë.
Pika tjetër pozitive që nuk duhet harruar është edhe udhëtimi i Tifozëve Kuq e Zi, pasi lojtarët nuk do jenë vetëm dhe do kenë mbështetjen e tyre gjatë 90 minutave lojë. Është me rëndësi që Shqipëria ta nisë mbarë këtë rrugëtim, pasi në rast të një rezultati pozitiv në ndeshjet e ardhshme do jetë gjithçka më e lehtë dhe lojtarët do jenë të motivuar, shto këtu faktin që do rikthehen edhe lojtarët e dëmtuar. Jam kurioz ta shoh mbrojtjen, pasi dy mungesat e konfirmuara janë të mëdha. Reparti defansiv duhet të punojë shumë taktikisht dhe fizikisht dhe nëse kjo funksionon dhe ekipi bën tranzicionin siç duhet, s’kam dyshime se mund ta marrim të paktën një pikë”, tha Lorik Jashanica.
Nga ana tjetër, Mërgim Rrecaj është i bindur se Shqipëria do të dalë me pikë nga kjo transfertë. Me këmbë në tokë, fitorja duket një mision i vështirë, por barazimi në Poloni është më shumë sesa i mundur.
“Emocionet kanë kapluar Tiranën, Prishtinën dhe gjitha zonat e tjera shqiptare, duke kërkuar njëzëri të bashkuar, dy skuadra shqiptare në kompeticionin më të madh të futbollit në Evropë për shtete, Shqipërinë dhe Kosovën. Kombëtarja e Shqipërisë ka një rrugë të re, një tjetër qëllim të madh dhe një ëndërr tjetër të bukur për ta përsëritur.
Një trajner i ri, një skuadër e mbushur me motiv, forcë dhe talent, kërkon që me ndihmën e tifozëve të ‘zjarrtë’ në tribuna, të përsëris suksesin e ‘Francë 2016’. Sifda hapëse me Poloninë do të jetë pa asnjë dyshim sfida më e vështirë e grupit dhe pikërisht në këtë takim duhet të tregohet karakteri dhe forca e ekipit. Realisht, Polonia mendoj se është pak më lart se Shqipëria dhe vjen në këtë takim si një kombëtare që kaloi grupet në Kupën e Botës, por që kuqezinjtë nuk janë në asnjë moment inferior, madje besoj që kjo edhe mund të jetë në të mirë, pasi që kundërshtari do ta ketë presionin mbi supe. Trajneri Sylvinho duhet të ndryshojë fillimisht frymën brenda ekipit, pastaj edhe formën ‘monotone’ të lojës që kombëtarja e bënte në kohën e trajnerit Reja, pasimet e gjata dhe mungesa e saktësisë në aksione.
Mungesat e mëdha do ta penalizojnë shumë skuadrën, sidomos në mbrojtje, por që besoj fuqishëm që emrat që do t’i zëvendësojnë do të tregojnë më të mirën e tyre. Mesfusha nuk është poashtu në momentin më të mirë, me Asllanin dhe Laçin që nuk kanë shumë minuta si dhe formën jo të mirë që po kalon Gjasula. Pika më e fortë besoj së është Myrto Uzuni, ai po shkëlqen në Spanjë me golat e tij, duke shpresuar që tashmë golat e tij do të ‘çojnë peshë’ zemrat e tifozëve shqiptarë. Jam optimist për së paku një pikë në Poloni, pastaj 6 pikë ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe, duke shkuar më pas shumë të motivuar në përballjen ‘kokë me kokë’ me Çekinë. Duke qenë realist dhe jo vetëm optimist, besoj që Shqipëria ka forcën, mundësinë dhe kualitetin që të jetë në Euro 2024, kuqezinjtë duhet ta kuptojnë se kanë një gjë të cilën pak kombëtare e kanë prapa vetes, tifozët më të “zjarrtë” dhe më të bukur në botë. Mendoj se Poloni-Shqipëri mbyllet 1-1, shënon Uzuni”, tha Mërgim Rrecaj. /Sport Ekspres/