“Nga mali ose udhëtimi i jashtëligjshëm”/ Rrëfimi i rrallë i Uzunit mes vuajtjeve për “AS”: Alvaro Morata më tha…

Nga Klaudio Ndreca

Myrto Uzuni është një shembull i qartë sesi vështirësitë mund të tejkalohen dhe se asgjë nuk është e pamundur. Djaloshi nga Uznova, i rritur me historitë inspiruese që shihte nga figurat më të mëdha të futbollit, është kthyer papritur vetë në një dëshmi shembullore për talentet shqiptarë.

Vështirësia ekonomike, mungesa e kushteve, problemet e mëdha që dalin gjatë rrugës janë shumë të vogla përpara dashurisë mbi futbollin. Shumë sakrifica ka bërë Uzuni në jetën e tij, i ndihmuar nga familja e tij, e cila ishte e varfër në aspektin financiar por me zemrën e madhe, që bënë të mundur kapërcimin me hapa gjiganti.

Babai i Myrtos, Artani, shpeshherë e ka thënë hapur se mediat nuk kanë shkruar thuajse asnjëherë për Uzunin në kohën që luante në Shqipëri apo kur nisi të luante me Lokomotivën e Zagrebit. Ndërkohë po i njëjti lojtar ka shkuar larg në “Champions League” dhe tani shkrimet e bukura thuren nga prestigjozet mediatike në Europë.

Së fundmi është media e madhe spanjolle “AS” që ka intervistuar Uzunin. E hapur me “Uzuni, djali që lante enët dhe donte të ishte si Cristiano”, tregohet rrëfimi i rrallë i futbollistit. Për ta nisur që kur Myrto ishte 10-vjeç. Familja e tij vendosi largimin nga Berati për në Greqi. Aty ishin vetëm dy mënyra të vetme: “Kalo malin në udhëtim tre ditor dhe tre netë me vëllain e vogël 3-vjeç mbi shpinë, ose paguajë 8.000 euro për udhëtim të paligjshëm, por të sigurt. Prindërit zgjodhën mundësinë e dytë dhe këtu fillon historia.

“I detyrohem gjithçka familjes time, e cila u kthye në Shqipëri në mënyrë që të luaja futboll. Unë kurrë nuk hoqa dorë nga ëndrra ime. Ne shkuam për të pasur një jetë më të mirë në Greqi. Babai im punoi me rrugët ndërsa nëna ime lante enët në një restorant. Unë gjithashtu duhej të punoja, duke ndihmuar mamin. Punoja 12 orë dhe luajta futboll, edhe pse më duhej të ngrihesha në 6:00. Unë kurrë nuk e ndalova ëndrrën time.

U përpoqa të bëja një provë në Olympiakos në mënyrë që ata të mund të shihnin talentin tim, por unë nuk i kisha dokumentet në rregull. Prandaj babi im tha se ishte më mirë të kthehesha në Shqipëri në mënyrë që të mund të luaja në një ekip futbolli. Ata sakrifikuan për mua”, u shpreh Uzuni.

Kështu do të mbërrinin sërish në Berat. Uzuni ishte vetëm 16-vjeç dhe nuk i duhej shumë kohë për të rënë në sy. “Një trajner më pa dhe më çoi në klubin e tij, Apollonia. Në miqësoren e parë shënova dy gola. Dhe pas gjashtë muajve të gjitha klubet më donin,” thotë sulmuesi shqiptar.

“Cristiano Ronaldo është referenca ime, unë e di historinë e tij, kam lexuar gjithçka për të. Ishte motivi im. Në Shqipëri nuk ka shumë akademi. Ky ishte problemi. Unë gjithashtu duhej të paguaja 12 euro në muaj për të shkuar në stërvitje dhe pesë për fugonin që të më dërgonte në ndeshje. Nuk kisha para dhe nuk ndaloja së qari në shtëpi. Kam paguar për dy muaj dhe duhej pyesja miqtë e mi “, tha futbollisti i “Champions League”.

E ndërkohë kur i kthehet momentit të bukur, për golin e realizuar kundër Juventusit, Myrto nuk mund të harrojë këto kujtime: “Ishte një ëndërr, si ajo që kam jetuar pas ndeshjes kur Morata më përgëzoi për mënyrën se si kisha luajtur. Tani hap pas hapi, nuk dua të bëj gabime. Unë thjesht dua të shënoj gola dhe të jap asistime. Për mua kjo është tani gjëja e rëndësishme, dhe të fitoj ndeshje dhe të luaj Ligën e Kampionëve. Ëndrrat e mia janë të mëdha, por unë preferoj për të mos thënë ato “, përfundoi Uzuni. /Sport Ekspres/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *