Mrekullia e kuqezinjve, triumf në Hungari

Dita e djeshme duhej të ishte dita e volejbollit shqiptar, që ka nisur me fitoren e djemve në Hungari, pikërisht në Budapest, mirëpo mrekullia e djemve të Jani Melkës nuk është shoqëruar me suksesin e vajzave. Gjithsesi, ajo që kuqezinjtë e rrjetës për djem kanë bërë të mërkurën pasdite ka qenë fantastike. Në setin e parë janë gjithnjë në avantazh. Por për shkak të firove në shërbim, apo dhe në sulm, hungarezët barazojnë dhe më pas fitojnë setin e parë 25-22. I dyti, me qetësinë dhe besimin që i jep trajneri Melka, është gjithnjë në udhëheqje të rezultatit nga tanët, që fitojnë 25-21.

Me të njëjtin rezultat kanë marrë dhe setin e tretë 25-21. Në të katërtin janë në avantazh deri në 14-7. Mirëpo Hungaria merr kurajë sepse afrohet në 16-12. Madje barazon në 19-19 dhe më pas kalon në avantazh 20-19. Tanët nuk e humbasin toruan. Përkundrazi kanë barazuar dhe më pas kanë fituar setin e katërt 25-23 dhe krejt ndeshjen 3-1. Të shtunën do të jenë në Kroaci në transfertën e fundit të Ligës së Evropës për të nisur javën që vjen ndeshjet në fushën tonë.

Hungari – Shqipëri 1-3

(25-22, 21-25, 21-25, 23-25)

Hungaria: Zabo, Nagi, Papai (L), Magiar, Banai, Kin, Kazap, David, Padar, Blazovic, Deak, Kalmar, Gebhard, Krupanski.

Trajner: T.Bogdan

Shqipëria: Arapi, Husaj, Kula, Gjoklaj, Koçi, Kola (L), Qafarena/Deliu, Malaj, Qepa.

Trajner: J.Melka

Gjyqtarë: P.Balanxhiç (Serbi), G.Tilman (Hungari)

 

 

Husaj: Po rritemi nga ndeshja në ndeshje

“Ne kemi një ekip shumë të ri, ne po përpiqemi të rritemi nga ndeshja në ndeshje. Unë shpresoj se ne mund të ndërtojmë të ardhmen në këtë fitore për ndeshjet e ardhshme”, theksoi pas ndeshjes Husaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *