Miqësoret e Shqipërisë dhe Kosovës në Zvicër janë kthyer në kaos total. Është e qartë që është bërë një gafë e paparë duke ua besuar miqësoret kompanive që organizojnë miqësore për përfitimet e veta, sepse nuk është verifikuar serioziteti i tyre dhe shumë gjëra kanë mbetur pezull deri në fund, apo janë anuluar miqësoret, ndërsa kemi fajësuar Zvicrën.
Shqipëria kundër Ukrainës me shumë gjasa nuk do të luhet fare, sepse nga Zvicra kaloi në Francë dhe më pas trajneri Andirj Shevçenko deklaroi se kishte rënë dakord me Panuçin që të kërkonte anulimin e ndeshjes. Edhe nëse luhet, është një çorbë, sepse nuk ka asnjë njoftim, as orar dhe as shitje biletash.
Edhe Kosova ka të njëjtin hall, sepse miqësorja kundër Bregut të Fildishtë është shtyrë prej 3 ditësh. Bregu i Fildishtë i ka dërguar një letër Federatës së Kosovës ku e njofton në thelb se nuk pranon ta luajë atë miqësore, për shkak të problemeve organizative.
Tashmë Kosova mund të luajë në Stamboll një miqësore kundër Iranit, apo ndonjë miqësore me kombëtare të vogla si Kongo apo Moldavia.
Një leksion për federatat tona, që të mos pranojnë më organizime të tilla, pa pikë serioziteti.