Një mbrëmje për t’u harruar në “Air Albania”. Kuqezinjtë hynë në fushë me ëndrrën për të marrë vendin e parë në grup, por ndodhi ajo që më pak pritej. Ukraina që dukej se i kishte mbyllur llogaritë e saj në grup u zgjua në ndeshjen e fundit dhe na dërgoi në ligën C.
Zinçenko në minutën e 5 dhe më pas Jaremçuku në minutën e 10 tronditën kuqezinjtë pa nisur ende mirë lojë. Pas një pjese të parë zhgënjyese, Silvinjo luajti të gjitha kartat e mundshme për të kthyer rezultatin në pjesën e dytë. Uzuni fitoi një 11 metërsh, i cili i shndërrua më pas në gol nga Nedim Bajrami, duke mbajtur gjallë shpresat për një përmbysje. Megjithatë, kuqezinjtë nuk arritën ta dërgonin sërish topin në rrjetë, duke lënë në fuqi rezultatin përfundimtar 1-2 për verdheblutë. Me këtë humbje Shqipëria e mbyll grupin në vendin e fundit, çka e dërgon automatikisht në ligën C sezonin e ardhshëm./Sport Ekspres/