Kukësi vjen me risi këtë sezon dhe ka njoftuar sot tifozët për daljen në treg të abonimeve sezonale. Verilindorët kanë vënë në dispozicion të mbështetësve të tyre kartat e abonimit, me të cilat mund të ndjekin ndeshjet që skuadra do të zhvillojë në “Kukës Arena“ përgjatë sezonit të ri. Abonimet janë të ndara në dy kategori. Kategoria e parë është ajo Gold, e cila kushton 40 mijë lekë të reja dhe të siguron një vend në tribunën VIP. Ndërkohë, abonimi Silver kushton 20 mijë lekë të reja dhe të mundëson të ndjekësh ndeshjet në tribunat qendrore.
“FK Kukësi njofton të gjithë tifozët se gjatë sezonit 2022-2023, do të kenë mundësinë të pajisen me abone sezonale, për të ndjekur të gjitha ndeshjet në shtëpi të ekipit tonë. Klubi ka vendosur në dispozicion të tifozëve 2 modele të ndryshme abonimesh, me çmime të ndryshme në varësi të tribunës se ku doni të abonoheni. Abonimi Gold i cili do të jetë në dispozicion për tribunën VIP, do të kushtojë 40’000 lekë. Abonimi Silver do të kushtojë 20’000 lekë dhe lejon tifozët të ulen në tribunat qëndrore. Tifozët e abonuar, do të mund të ndjekin të gjitha ndeshjet e Kukësit në shtëpi në Superiore dhe në Kupën e Shqipërisë. Personat e interesuar për abonime, duhet të kontaktojnë në emailin e klubit: info@fk-kukesi.al“, njofton klubi i Kukësti./Halit Delibashi-Sport Ekspres/