Braziliani i krahut të majtë do të qëndrojë në Kukës së paku edhe për një edicion
Jurgen Zela
Kukësi po përgatitet për ndeshjet e Europës, edhe pse ende nuk e ka të qartë nëse do të luajë në Champions, apo në Europa League. Lufta mes Skënderbeut dhe UEFA-s i mban pezull kuksianët, por këta të fundit nuk shqetësohen shumë, pasi e sigurt është se do të jenë në kompeticionet e europiane. Te Kukësi kanë nisur që të ndryshojë diçka në organizim dhe shitja e Gurit dha sinjalet se verilindorët janë në rrugën e duhur për ndërtimin e strukturave të klubit sipas modelit europian, ndërkohë që puna për ndërtimin e skuadrës për sezonin e ri ka nisur me kohë.
KALE
Një nga më të spikaturit në sezonin që sapo u mbyll ka qenë mesfushori Elton Kale. Braziliani u afrua 1 sezon e gjysmë më parë në radhët e verilindorëve. Edhe pse në gjysmën e parë të sezonit nuk ishte titullar gradualisht 29-vjeçari u bë një nga lojtarët më të rëndësishëm të Kukësit, duke u kthyer në titullar të padiskutueshëm. Kalesë i përfundonte kontrata me nënkampionët e Shqipërisë pas kupave të Europës, por “Sport Ekspres” mëson se mesfushori do të rinovojë me Kukësin. Lajm i mirë për skuadrën verilindore që do të ketë shërbimet e brazilianit së paku dhe për një vit tjetër. Palët kanë gjetur akordin dhe me rikthimin e lojtarit shtatshkurtër nga Brazili do të firmoset dhe kontrata e re. Kale këtë sezon ka luajtur 29 ndeshje me skuadrën e Kukësit në kampionat, duke arritur që të shënojë dhe 5 gola. Edhe një tjetër vit si “kuksian” për Kalenë, i cili duket se e ka fituar besimin e stafit teknik, që ta llogarisin si një pikë kyçe dhe për projektin e edicionit të ardhshëm. Kale është me pushime aktualisht, por njëkohësisht është dhe në fazë rikuperim, pas një dëmtimi të pësuar pas ndeshjes me Skënderbeun në Korçë, në fazën e katërt. Rinovimet te Kukësi kanë nisur nga Kale, duke ditur që ka qenë një nga lojtarët më të dalluar, pas Gurit.
MERKATO
Trajneri Peter Pakult dhe drejtori Nderim Nexhipi kanë nisur që të ndërtojnë ashtu siç duan skuadrën e edicionin e ardhshëm, që prezantimin do ta bëjë në Kupat e Europës. Edhe pse më urgjente duket gjetja e pasuesit të Gurit, Kukësi nuk nxitohet, kjo pasi vetë trajneri në prononcimin e tij të fundit ka deklaruar se alternativat janë të bollshme dhe do të zgjidhen ata që do të bindin më shumë. Mungojnë zyrtarizimet sa i përket afrimeve, kjo për faktin se merkato ende nuk është hapur zyrtarisht, edhe pse te Kukësi i kanë piketuar emrat e parë, ku Sebino Plaku dhe Idriz Batha janë preferencat e para nga Superiorja. Priten afrime dhe nga jashtë vendit, megjithatë emrat nuk janë bërë të ditur edhe pse mësohet se i preferuar është tregu ballkanas.