Shqipëria U-19 e vajzave barazoi me rezultatin 2-2 ndaj Malit të Zi ndeshjen e parë të raundit të dytë të Kampionatit Europian për këtë grupmoshë. Në takimin e zhvilluar pasditen e sotme në “Shtëpinë e Futbollit”, skuadra e drejtuar nga trajnerja Daniela Kodra zhvilloi një paraqitje shumë të mirë, duke përmbysur rezultatin në pjesën e dytë, por u ndal në minutat e fundit nga goli i barazimit të kundërshtareve.
Trajnerja Kodra e nisi ndeshjen me këtë formacion: Helshani (GK), Hysa, Nika, Kadiolli, Bajramaj, Vata, Bushati, Ago (C), Stalaj, Reci dhe Leka.
Pjesa e parë u mbyll me avantazhin 0-1 për Malin e Zi, pas golit të realizuar nga Dresaj në minutën e 29-të. Kuqezezat krijuan disa raste gjatë 45 minutave të para, por nuk arritën të gjenin rrugën e rrjetës.
Në pjesën e dytë, Shqipëria u shfaq më kërkuese dhe dominoi lojën në pjesën më të madhe të saj. Goli i barazimit erdhi në minutën e 72-të, kur Gelda Kadiolli realizoi një gol spektakolar direkt nga goditja e këndit, duke dërguar topin në rrjetë.
Kuqezezat përmbysën rezultatin në minutën e 90-të me një eurogol të Bora Bushatit, e cila goditi saktë nga distanca, duke kaluar Shqipërinë në avantazh 1-2. Megjithatë, Mali i Zi reagoi menjëherë dhe arriti të barazojë vetëm dy minuta më vonë, duke vulosur rezultatin përfundimtar 2-2.
Në ndeshjen tjetër të këtij grupi, të zhvilluar në “Egnatia Arena”, Turqia mposhti Lihtenshtejnin me rezultatin 6-0.
Shqipëria do të luajë ndeshjen e dytë të këtij raundi ndaj Turqisë më 12 prill, në ora 15:00, në “Shtëpinë e Futbollit”. Takimi do të transmetohet drejtpërdrejt në FSHF TV.