Ernest Muçi ka bërë një rrëfim të fundit për faqen zyrtare të Legias së Varshavës në “Instagram”. Talenti shqiptar ka fituar menjëherë dashurinë e tifozëve polak teksa arriti të shënonte në ndeshjen e parë stërvitore, ndërsa trajneri i Varshavës nuk ngurroi që ta cilësonte si Lionel Mesi. Duke iu përgjigjur pyetjeve të ndjekësve dhe tifozëve të Legias, Muçi i zbuloi të gjitha:
“Ushqimi im më i preferuar nga Shqipëria është byreku, mami e bënte shumë të mirë. Në fakt çdo mama dhe gjyshe e bëjnë këtë ushqim në Shqipëri. Stadiumi? Më ka lënë përshtypje shumë të mirë. Sapo erdha dhe e pashë këtu thashë: “Uau”. Fusha stërvitore është një nga më të mirat në Europë. Lojtarëve u ngel vetëm që të ulin kokën dhe të punojnë.
Tifozët e Legias? I kam parë në Youtube, ata janë të çmendur. Për mua një nga tifozeritë më të mira në botë. Ndërsa tifozët në Shqipëri nuk janë shumë, një dy janë si grupime. “Tirona Fanatics” janë më të mirët atje, por jo aq të shumtë në numër sa te Legia. Për mua kujtimi më i bukur në karrierë deri tani është fitorja në shifrat 5-1 ndaj Partizanit në derbi, ku stadiumi ishte i mbushur.
Shembulli im? Kristiano Ronaldo është ai që po inspiron të gjithë gjeneratën e re. Më inspirojnë këta persona që vijnë nga asgjëja dhe ngrihen në këto nivele. Këshilla më e mirë që kam marrë? Në momentin kur shënoj gola dhe jap asist më thonë: “Mos ndalo, vazhdo kështu”. Sepse është më e vështirë që të mbash nivelin e lartë sesa ta arrish atë.
Kombëtarja A? Duhet të luajë disa ndeshje këtu, të bëj më të mirën dhe pastaj ta pres këtë ftesë. Shqipëria ka një gjeneratë shumë të mirë të lojtarëve, luftojmë shumë dhe Polonia do e ketë të vështirë me ne. Lojtari më i mirë që ka qenë nga Shqipëria sipas meje është Igli Tare.
A mund të bëhem si Leëandoëski? Pak e vështirë, por nëse punon shumë ke dhe fatin në anën tënde, ku i dihet. Janë disa lojtarë që para një ndeshje të mëdha nuk flenë dot gjumë. Por unë jam shumë i ftohtë dhe të gjitha ndeshjet i përjetoj njësoj”, ka thënë Muçi. /Sport Ekspres/