Një ndeshje spektakolare ishte ajo e Kategorisë së Parë. Apolonia arriti të fitonte me shifrat 2-3 ndaj Dinamos. Miqtë kaluan në avantazh që në minutën e 7 me anë të Anthony. Shifrat u barazuan nga Marku në të 30. Do të ishte sërish Apolonia që gjeti avantazhin me anë të Omerit në minutën e 66, nga 11-metrat.
Dikson gjeti sërish ekuilibrin te Dinamo në të 72. Goditja e fundit mbërriti për kryeqytetasit nga Francis në minutën e 84, duke vendosur historinë e takimit. Kështu Apolonia merr një fitore emocionuese, ndërsa Dinamo ndodhet me 3 pikë më pak se Skënderbeu kryesues. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve për “Oversport”:
Mehmeti: “Po ta shikojmë ndeshjen, ia kemi falur, ia dhuruam Apolonisë. Po të shikoni rastet e golave të tyre ishin gabimet tona naive. Këtu nuk ka justifikim. Është vështirësuar situata sa i përket objektivit, por ne e kemi vetë në dorë. Të vjen keq për mënyrën sesi humbet. Në 3 rastet që pësuam golin, duhej të ishim më të vëmendshëm. Por edhe në sulm duhet të jemi më altruist, kishim 3-4 raste për të gjetur golin. Na mungojnë lojtarët tipik sulmues që e njohin portën, por edhe altruizmi. Nuk ka ndeshje të lehta në këtë fazë të kampionatit që jemi”.
Dovedan: “E përgatitëm ndeshjen për ta fituar gjatë gjithë javës. Lojtarët e besuan dhe ne fituam. Të gjitha gjërat ishin të përgatitura. Pësuam dy gola që mund t’i evitonim dhe këto mund t’i përmirësojmë gjatë javës. Ne nuk kemi presion, e rëndësishme është që të luajmë futboll të mirë dhe pastaj çfarë të dali. Është arritje e madhe për ne, nuk është e lehtë t’i shënosh 3 gola Dinamos në kryeqytet. Gjithë ekipi është nën moshën 22-vjeç, shumë prej tyre luajnë me ekipin e të rinjve. Ne nuk i ushtrojmë presion”.